Filma

Pse ‘Odisea’ e Nolanit ka zemëruar grekët

Nga Gazeta ‘Si’- Nga kohët e lashta deri në ditët e sotme, grekët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të debatojnë për gjithçka që lidhet me trashëgiminë e tyre- nga pronësia mbi figurën e Helenës së Trojës, te Sparta dhe simbolet e mitologjisë së tyre.

Publikimi i filmit të ri “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, ka sjellë një sukses të menjëhershëm në kinematë ndërkombëtare, por në tokën e Homerit ka hapur edhe një valë polemikash.

Në një vend ku fëmijët njihen me epet e Homerit që në klasën e shtatë, çdo përshtatje e tyre bëhet objekt diskutimi të gjerë: Sa besnik është Nolan ndaj historisë origjinale? Pse në kast nuk ka aktorë grekë? Dhe pse Helenën, “fytyrën që nisi një mijë anije”, e interpreton një aktore me origjinë afrikane?

Filmi hollivudian, ku Matt Damon luan rolin e mbretit Odise, ndjek linjën e eposit të Homerit: udhëtimin dhjetëvjeçar të heroit pas Luftës së Trojës për t’u kthyer te gruaja e tij Penelopa, gjatë të cilit përballet me perëndi, përbindësha dhe sfida mitologjike, për të gjetur në fund pallatin e tij të pushtuar nga rivalët.

Pjesë të filmit janë xhiruar në Greqi, duke përfshirë disa prej vendeve më simbolike të vendit: Pallatin e Nestorit në Pilos, plazhin Voidokilia, Kalanë e Methonit dhe Akrokorinthin. Grekët prisnin që trashëgimia e tyre natyrore të merrte vëmendje globale, ndërsa shihnin edhe një mundësi për të treguar se një epope 3 mijëvjeçare vazhdon të jetojë.

Produksioni përfitoi rreth 6.5 milionë euro subvencione nga shteti grek, në kuadër të skemës së rimbursimit për prodhimet filmike që realizohen në vend. Buxheti total i filmit arrin rreth 250 milionë euro.

Por debati shpërtheu pas zgjedhjes së aktores Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës- gruas, rrëmbimi i së cilës nga princi trojan Paris u bë shkak për nisjen e luftës legjendare.

Kritikat nuk vonuan. Elon Musk e akuzoi Nolanin se kishte “shkelur” trashëgiminë e Homerit për t’iu përshtatur rregullave moderne të industrisë së filmit.

Edhe mediat greke zhvilluan debate të gjera mes historianëve, regjisorëve dhe kritikëve të filmit. Mbështetësit e zgjedhjes argumentojnë se mitet greke janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe se artistët kanë liri krijuese për t’i interpretuar ato.

Kundërshtarët, ndërkohë, theksojnë se Homeri e përshkruan Helenën me tipare që lidhen me bukurinë- flokë të bukur, fytyrë të bukur dhe veshje elegante- por përmend vetëm një detaj fizik: “krahët e bardhë” të saj, duke lënë hapësirë për interpretim.

Partia e vogël opozitare ultra-ortodokse greke Niki kundërshtoi si zgjedhjen e aktores, ashtu edhe financimin publik të filmit, duke pretenduar se taksapaguesit grekë po financojnë imponimin e një “ideologjie woke” mbi historinë dhe identitetin kulturor grek.

Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, e hodhi poshtë idenë e ndërhyrjes shtetërore në zgjedhjet artistike.

“Roli i shtetit nuk është t’i diktojë një krijuesi se si duhet të interpretojë një vepër apo një mit. A mund të diskutojmë seriozisht nëse shteti duhet të censurojë Christopher Nolan?” tha ajo.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, tha se nuk kundërshton financimin publik të filmit, por pranoi se e ka të vështirë të kuptojë disa prej zgjedhjeve të regjisorit.

“Nolan ka shkuar shumë larg; nuk e di nëse po e bën për të fituar një Oscar”, tha ai për televizionin grek ANT1.

Një tjetër pikë debati ka qenë mungesa e aktorëve grekë në një film që trajton një prej veprave më të rëndësishme të kulturës greke. Faqja e diasporës Greek City Times i drejtoi një letër të hapur kastit dhe ekipit krijues, duke argumentuar se “Greqia nuk është vetëm një skenë e antikitetit. Është një vend i gjallë. Grekët nuk janë figura historike, janë bashkëkohës”.

Edhe Endy Zemenides, drejtues i Hellenic American Leadership Council, e quajti mungesën e aktorëve grekë një “mundësi të humbur” për Nolanin.

“Homeri u përket të gjithëve, por pse grekët mungojnë në ‘Odisean’ e Nolanit?” pyet revista greke Lifo.

Pavarësisht polemikave, filmi pritet të jetë një sukses global edhe në Greqi. Premiera u zhvillua të enjten dhe biletat u shitën me shpejtësi, ndërsa adaptimi i ri ka sjellë edhe rritje të interesit për botimet origjinale të eposit të Homerit./ Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë