Nga Gazeta ‘Si’– Çmimet e naftës kanë shënuar një rritje të ndjeshme pas përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Nafta Brent, standardi kryesor ndërkombëtar, u rrit me më shumë se katër për qind gjatë tregtimit të së hënës, duke arritur në 79.26 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fundi i muajit qershor.
Përshkallëzimi i situatës erdhi pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se kishte kryer dhjetëra sulme ajrore ndaj objektivave iraniane me qëllim dobësimin e aftësive të Teheranit për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas autoriteteve amerikane, operacioni u ndërmor pasi forcat iraniane akuzohen se sulmuan një anije transporti me flamur të Qipros, e cila po lundronte në këtë korridor strategjik detar.
Në reagim, Irani ndërmori një valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj objektivave në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Kuvajt, Oman dhe Bahrejn, duke deklaruar se veprimet ishin përgjigje ndaj bombardimeve amerikane.
Autoritetet iraniane, të cilat pretendojnë të kenë të drejtën e kontrollit të trafikut në Ngushticën e Hormuzit, paralajmëruan gjithashtu se anijet që nuk ndjekin korridoret e përcaktuara prej tyre nuk do të përfitojnë garanci sigurie gjatë kalimit.
Për shkak të tensioneve të reja, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ulur ndjeshëm. Të dhënat e platformës së inteligjencës detare Uinduard tregojnë se numri i anijeve që kalojnë çdo ditë është shumë më i ulët krahasuar me javët e mëparshme, ndërsa kompanitë e transportit po tregohen gjithnjë e më të kujdesshme për shkak të rrezikut të sulmeve.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një arterie jetike për ekonominë botërore, pasi nëpërmjet saj kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës. Çdo ndërprerje ose pasiguri në këtë zonë reflektohet menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke ndikuar në çmimet e karburanteve dhe kostot e transportit.
Analistët e tregut vlerësojnë se çmimi i naftës Brent mund të mbetet në nivele të larta gjatë muajve gusht dhe shtator për shkak të pasigurisë gjeopolitike. Sipas tyre, mund të ketë luhatje të përkohshme, por tregjet po reagojnë ndaj rrezikut që konflikti të ndikojë në furnizimin global me naftë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se një rikthim i çmimeve në nivelet rekord të regjistruara në fazat e para të konfliktit nuk është shumë i mundshëm.
Arsyeja lidhet me kërkesën ende të dobët globale për naftë, rritjen e prodhimit nga vendet e OPEC+ dhe rezervat shtesë që ndodhen në treg, faktorë që pritet të kufizojnë një rritje edhe më të madhe të çmimeve.
Përveç tregut të energjisë, tensionet kanë ndikuar edhe në bursat aziatike. Indeksi japonez Nikkei 225 shënoi rënie me mbi dy për qind, ndërsa bursa e Koresë së Jugut pësoi humbje të thella.
Edhe tregu financiar i Hong Kongut u mbyll negativisht, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për pasojat ekonomike që mund të sjellë përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje