Gazeta Si – Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kanë kërkuar pavlefshmëri të provave në seancën e radhës në gjyqin që po zhvillohet ndaj tyre në GJKKO, për dosjen ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Ish-deputetja u paraqit në Gjykatën e Posaçme, teksa kishte veshur një bluzë ku lexohej “It’s a wonderful day”, “është një ditë e mrekullueshme”.
“Sot është dita e së vërtetës. Kam mbrojtjen dhe do t’ju zbërthejmë të gjitha manipulimet që janë bërë nëpërmjet mesazhit. Do t’ju njoftojmë sapo të fillojmë procesin”,- tha Kryemadhi.
Ndërsa avokati i ri i Metës, Bujar Musta, ka kërkuar në seancë që të mos merret parasysh dëshmia e ish-ministrit të ndjerë, Dritan Prifti, si dhe të mos përdoren si provë intervistat e dy personazheve, Vojsava Ismailaj dhe Ervis Mata.
“Vojsava Ismailaj e dha intervistën pas një sms që më dërgoi dhe unë refuzova ta takoj. Kam njoftuar me 5 janar Prokurorin e Përgjithshëm dhe nisi një çështje, pasi zonja kishte lidhje me elemente destabilizues. Të pyetet si dëshmitare”, citohet të ketë thënë vetë ish-presidenti.
Edhe mbrojtja e Monika Kryemadhit paraqiti kërkesat paraprake në GJKKO, duke kundërshtuar një pjesë të provave të administruara nga SPAK.
Avokatët kërkuan shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së provave të nxjerra nga telefoni i Kryemadhit.
Kjo e fundit tha se SPAK pretendon se telefoni nuk është i saj, por i nënës, Fatime Kryemadhi. Ish-deputetja shtoi me ironi, që atëherë duhet të vijë dhe të japë llogari nëna e saj për mesazhet me Vali Bizhgën, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.
Kryemadhi insistoi se SPAK nuk mund të ushtronte kontrolle në banesën ku ajo jetonte me të emën, pasi ishte deputete.
Gjatë seancës së kaluar, u shpalos një listë prej 134 emrash, të cilët Meta kërkon që të thirren si dëshmitarë në gjyqin ndaj tij.
Mes tyre spikat edhe emri i kryeministrit Edi Rama, ish-deputetëve socialistë dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij në LSI.
Madje ai ka kërkuar të thirret si dëshmitar edhe ish-drejtori i FBI, Charles McGonigal dhe disa shtetas të huaj të lidhur me çështjen ‘CEZ-DIA’ dhe lobimin e ish-LSI në SHBA.
Edhe SPAK listoi 110 emra për t’u thirrur si dëshmitarë, ndërsa do të jetë gjykata që do të vendosë. Në seancën e kaluar u njoftua edhe ndryshimi i avokatit mbrojtës të Metës për shkak se ky i fundit kishte humbur besimin tek Kujtim Cakrani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje