Futboll

Spanja eliminon Portugalinë e Ronaldos, Belgjika shkatërron SHBA-të

Gazeta Si – Spanja është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Portugalinë me rezultatin minimal 1-0 në përballjen e zhvilluar në Dallas. “La Roja” i dha fund aventurës së Cristiano Ronaldos në turne, falë një goli të shënuar në minutat shtesë.

Ndeshja ishte e luftuar dhe shumë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që krijuan raste për shënim. Portugalia iu afrua golit në pjesën e parë, kur Nuno Mendes goditi traversën, por fati nuk ishte në anën e luzitanëve.

Vendimtare rezultuan lëvizjet e trajnerit Luis de la Fuente në minutat e fundit. Ferran Torres, i aktivizuar nga stoli, dhuroi një asist të shkëlqyer, ndërsa Mikel Merino, gjithashtu i futur si zëvendësues, shënoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke vulosur kualifikimin e spanjollëve.

Me këtë sukses, Spanja siguron një vend mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit dhe në çerekfinale do të përballet me fituesin e duelit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Belgjikës. Ndërkohë, për Portugalinë dhe Cristiano Ronaldon, rrugëtimi në Botërorin 2026 përfundon në fazën e 1/8-ave.

Belgjika ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin bindës 4-1 Shtetet e Bashkuara në stadiumin e Seattle.

Ndeshja u zhvillua mes polemikave për pezullimin e dënimit të sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, por në fushë ishte Charles De Ketelaere ai që bëri diferencën. Mesfushori belg realizoi dy gola, në minutat e 9-të dhe të 33-të.

Amerikanët rikthyen përkohësisht baraspeshën me golin e Malik Tillman në minutën e 31-të, por Belgjika reagoi menjëherë. Në pjesën e dytë, Hans Vanaken shënoi për 3-1 në minutën e 57-të, ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren me golin e katërt në minutën e 93-të.

Me këtë sukses, Belgjika avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën për një vend në gjysmëfinalet e Botërorit 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë