Moti

Shkencëtarët: Vala e të nxehtit në Europë është më e rënda e regjistruar ndonjëherë

Nga Gazeta ‘Si’- Shkencëtarët kanë deklaruar se vala e të nxehtit që po godet Europën Perëndimore është më e rënda dhe më e përhapura e regjistruar ndonjëherë dhe se ajo është bërë e mundur vetëm si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile.

Sipas analizës së konsorciumit World Weather Attribution (WWA), pothuajse gjysma e 850 qyteteve më të mëdha të Europës po përjetojnë nivelet më të larta të stresit termik të regjistruar ndonjëherë.

Kombinimi i temperaturave të larta me lagështinë e madhe e bën djersitjen më pak efektive për ftohjen e trupit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin.

Në Mbretërinë e Bashkuar u regjistrua temperatura më e lartë e muajit qershor, 36.7°C, ndërsa në shumë vende të Europës Perëndimore janë shtuar urgjencat mjekësore dhe janë raportuar edhe viktima.

Shkencëtarët theksojnë se një valë e tillë të nxehti do të kishte qenë rreth 2°C më e ftohtë në vitin 2003 dhe rreth 3.5°C më e ftohtë në vitin 1976. Temperaturat e larta gjatë natës, të cilat pengojnë pushimin dhe rikuperimin e organizmit, janë sot rreth 100 herë më të mundshme sesa dy dekada më parë.

Sipas studiuesve, pa masa urgjente për uljen e emetimeve të gazeve serrë, valët e ardhshme të të nxehtit do të jenë edhe më ekstreme. Ata paralajmërojnë se vera aktuale mund të konsiderohet relativisht e freskët krahasuar me atë që mund të ndodhë në dekadat e ardhshme.

Ekspertët vlerësojnë se mbi 100 milionë njerëz në Europë janë ekspozuar ndaj temperaturave mbi 35°C. Ndikimet janë të shumta: mbyllje shkollash, vështirësi në funksionimin e spitaleve, anulime të udhëtimeve me tren dhe avion, si edhe rritje e rasteve të urgjencave shëndetësore.

Sipas OKB-së, ndryshimet klimatike po përshpejtohen si rezultat i varësisë nga qymyri, nafta dhe gazi. Zgjidhja, sipas ekspertëve, është përshpejtimi i kalimit drejt energjisë së pastër, mbrojtja e pyjeve dhe investimi në infrastrukturë më rezistente ndaj temperaturave ekstreme.

Studimet tregojnë se vala e të nxehtit në Europë në vitin 2022 shkaktoi mbi 60 mijë viktima, ndërsa një valë më e vogël në vitin 2024 mori mbi 2 300 jetë në vetëm tre ditë në 12 qytete evropiane. Shkencëtarët vlerësojnë se rreth dy të tretat e këtyre vdekjeve nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Ekspertët bëjnë thirrje për veprime të menjëhershme për të reduktuar emetimet e karbonit dhe për të ndërtuar qytete, banesa dhe sisteme shëndetësore më të përshtatura ndaj klimës së re, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve./ The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë