Para

‘Mbushen’ rezervat, bankat në Shqipëri rrisin kapitalin për kohë krize

Nga Gazeta ‘Si’- Sektori bankar në Shqipëri ka forcuar ndjeshëm aftësinë për t’u përballur me kriza financiare, sipas raportit gjashtëmujor të Bankës së Shqipërisë për ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

Pesë bankat më të mëdha të tregut, të cilat përfshihen në kërkesën MREL (minimumi i kapitalit dhe detyrimeve të afta për t’u përdorur në rast krize), kanë përmbushur plotësisht objektivat e ndërmjetëm dhe kanë mbyllur edhe hendekun drejt objektivit përfundimtar të vitit 2027. Këto banka përbëjnë rreth 73% të aktiveve të sistemit bankar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 niveli mesatar i MREL arriti në 25.1% të aktiveve të ponderuara me rrezik, duke tejkaluar objektivin e ndërmjetëm dhe duke kaluar për herë të parë edhe objektivin final, me një diferencë pozitive të lehtë.

Struktura e financimit mbetet e mbështetur kryesisht te kapitali bazë, ndërsa është rritur përdorimi i instrumenteve të borxhit (obligacioneve), duke reflektuar një orientim më të madh drejt tregut të kapitaleve.

Gjatë vitit 2025, bankat kanë qenë aktive në emetimin e obligacioneve, ndërsa blerësit kryesorë kanë qenë individët, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të investitorëve. Afatet e këtyre instrumenteve variojnë nga 3 deri në 7 vite.

Sa i përket kostove, normat e interesit në lek kanë mbetur të qëndrueshme, ndërsa në euro dhe dollar janë rritur lehtë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se këto kosto mbeten të përballueshme dhe nuk paraqesin rrezik për stabilitetin e sektorit.

Në përgjithësi, raporti e vlerëson sektorin bankar më të kapitalizuar dhe më të përgatitur për skenarë krizash, me kapacitete të forcuara dhe varësi më të ulët nga ndërhyrjet publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë