Ekonomi

Korrupsioni në Shqipëri arriti kulmin gjatë vitit 2025, sipas bizneseve

Nga Gazeta ‘Si’- Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka zbardhur gjetjet e raportit të saj vjetor mbi klimën e biznesit në vend dhe rezulton se korrupsioni, burokracia qeveritare dhe ekonomia informale janë tri barrierat kryesore për sipërmarrjet.

Matjet tregojnë se mbi 68% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë nivelin e korrupsionit në vend si të lartë ose shumë të lartë në raport me aktivitetin e tyre. Ndërkohë, rreth 24% e shohin këtë tregues në nivele neutrale dhe vetëm një fraksion prej 7% e konsideron korrupsionin si të ulët apo shumë të ulët. Kjo situatë ka bërë që treguesi i përgjithshëm i trendit të pësojë një rënie drastike në 26 pikë për vitin 2025, duke zhbërë përmirësimet e lehta që ishin vënë re gjatë viteve të mëparshme.

Një tjetër pengesë e mprehtë për sipërmarrësit mbetet burokracia qeveritare, e cila vijon të zvarrisë dhe të dëmtojë operacionet e përditshme të tregut. Mbi 73% e të anketuarve deklarojnë se niveli i burokracisë shtetërore është i lartë ose shumë i lartë, rreth 23% e vlerësojnë atë si mesatar dhe vetëm 3.8% e bizneseve shprehen se procedurat janë në nivele të ulëta. Indeksi për këtë komponent ra në 26.2 pikë për vitin 2025, duke u përkeqësuar dukshëm krahasuar me vitet 2023 dhe 2024, ku qëndronte mbi kuotën e 33 deri në 35 pikëve.

Krahas korrupsionit dhe pengesave zyrtare, tregu i zi dhe ekonomia informale po godasin fort konkurrencën e ndershme në Shqipëri. Mbi 73% e bizneseve anëtare të AmCham ngrenë alarmin se niveli i informalitetit në vend është i lartë ose shumë i lartë. Pjesa tjetër ndahet në pothuajse 21% që e vlerësojnë atë si mesatar dhe vetëm rreth 5.5% që e shohin si të ulët.

Ashtu si dy treguesit e tjerë, edhe indeksi i informalitetit pësoi rënie të ndjeshme në 26.1 pikë, duke lëshuar një sinjal të qartë pakënaqësie nga komuniteti i biznesit, i cili kërkon nga institucionet reforma të thella strukturore dhe garantimin e një gare të barabartë në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë