Nga Gazeta ‘Si’- Administrata Tatimore ka bërë të ditur përfundimin me sukses të procesit automatik të fshirjes dhe shuarjes pa kushte të një pjese të detyrimeve tatimore të papaguara, sipas kategorive të përcaktuara në ligjin e “Paqes Fiskale”.
Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo masë kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera e përgjithshme e detyrimeve të fshira arrin në rreth 91.6 milionë euro.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 70.5 milionë euro, lidhet me gjoba administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të pashlyera që i përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe të regjistruara në kontabilitet deri më 31 dhjetor 2024. Nga kjo kategori kanë përfituar 13,667 tatimpagues.
Ndërkohë, rreth 21.1 milionë euro përfaqësojnë gjoba të tjera administrative, përfshirë ato për dorëzim të vonuar të deklaratave tatimore. Këto detyrime i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2024 dhe janë regjistruar deri më 30 qershor 2026, me kusht që deklaratat përkatëse të jenë dorëzuar. Në këtë grup përfituesish përfshihen 96,302 tatimpagues.
Administrata sqaron se nga kjo procedurë janë përjashtuar subjektet e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë, si edhe ata që ndodhen nën hetim ose në proces gjyqësor për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave. Gjithashtu, nuk janë përfshirë detyrimet për të cilat ekziston një vendim i formës së prerë në favor të administratës tatimore.
Ky zhvillim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e ligjit nr. 86/2025, pas realizimit të procesit të kompensimit automatik të tepricave kreditore me detyrimet tatimore të papaguara.
Administrata Tatimore thekson se do të vijojë zbatimin e plotë të masave të parashikuara në ligj, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje