Fëmijët holandezë konsiderohen ndër më të lumturit dhe më të shëndetshmit në botë, dhe një nga traditat që shpesh lidhet me këtë mirëqenie është Avondvierdaagse, një aktivitet kombëtar ecjeje që zhvillohet çdo vit në Holandë.
Për katër mbrëmje radhazi në fillim të verës, qindra mijëra fëmijë ecin 5 ose 10 kilometra në lagjet e tyre së bashku me prindërit dhe miqtë. Nëse e përfundojnë sfidën, ata shpërblehen me medalje, lule dhe festime në fund të aktivitetit.
Tradita ka rrënjë ushtarake dhe daton që nga viti 1909, por me kalimin e kohës është shndërruar në një nga simbolet më të dashura të identitetit holandez.
Sot, rreth gjysmë milioni njerëz marrin pjesë çdo vit në mbi 700 vende të ndryshme të vendit, falë punës së mijëra vullnetarëve.
Ekspertët theksojnë se aktiviteti fizik në moshë të vogël ndihmon zhvillimin motorik, krijon lidhje pozitive me lëvizjen dhe forcon qëndrueshmërinë.
Për shumë fëmijë, Avondvierdaagse nuk është vetëm një ecje, por një sfidë që i mëson të vazhdojnë përpara pavarësisht shiut apo lodhjes. Prindërit e shohin gjithashtu si një mundësi për të kaluar më shumë kohë me fëmijët dhe për të eksploruar lagjet ku jetojnë.
Një element i rëndësishëm i traditës është aspekti social. Fëmijët ecin me shokët e shkollës, krijojnë kujtime të përbashkëta dhe forcojnë miqësitë jashtë klasës.
Ndërkohë, prindërit njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe forcojnë lidhjet komunitare. Kjo përputhet edhe me gjetjet e UNICEF-it, i cili i rendit vazhdimisht fëmijët holandezë mes më të lumturve në botë, falë marrëdhënieve të forta familjare, miqësore dhe nivelit të lartë të pavarësisë që u jepet atyre që në moshë të vogël.
Megjithëse aktiviteti përballet me sfida si mungesa e vullnetarëve ose nevoja për të qenë më gjithëpërfshirës, ai vazhdon të mbetet një traditë e dashur që bashkon komunitetet.
Organizatorët besojnë se suksesi i tij qëndron te thjeshtësia- një aktivitet i shëndetshëm, pa ekrane dhe i bazuar në bashkëpunim. Holandezët e përshkruajnë këtë atmosferë me fjalën “gezelligheid”, një ndjenjë ngrohtësie, bashkëjetese dhe gëzimi të përbashkët që e bën Avondvierdaagse një nga traditat më të veçanta të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje