Nga Gazeta ‘Si’- Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat, tregojnë se Shqipëria vazhdon të renditet në fund të Europës për nivelin e jetesës. Në të dy treguesit kryesorë, PBB për frymë dhe konsumi individual, vendi mbetet dukshëm nën mesataren e BE-së dhe në grupin e ekonomive më të dobëta të kontinentit.
Sa i përket PBB-së për frymë, Shqipëria ka njohur një rritje graduale, duke u zhvendosur nga niveli 30% i mesatares europiane që mbante në vitet 2015-2020, në 42% në vitin 2024 dhe në 43% për vitin 2025. Pavarësisht këtij përmirësimi progresiv në rritjen e volumit të PBB-së për frymë, vendi mbetet sërish ndjeshëm nën mesataren e Bashkimit Europian.
Kjo diferencë reflektohet si në të ardhurat për banor, ashtu edhe në fuqinë blerëse të qytetarëve, e cila mbetet ndër më të ulëtat në Europë.
Edhe treguesin e konsumit individual, Shqipëria pozicionohet në fund të listës, saktësisht e parafundit midis vendeve të përfshira, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën (me indeksin 44 për vitin 2025).
Të dhënat tregojnë se konsumi për frymë në Shqipëri ka pësuar lëvizje të lehta e të ngadalta ndër vite: nga 38% e mesatares europiane në vitin 2015, indeksi ra në 36% në vitet 2018–2020, u rrit në 43% në vitin 2024, dhe vlerësohet në nivelin 41% për vitin 2025. Ky tregues dëshmon se fuqia blerëse dhe konsumi real i familjeve shqiptare mbetet dukshëm nën mesataren e BE-së dhe prapa vendeve të tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut (50), Serbia (57) dhe Mali i Zi (71).

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje