Nga Gazeta Si- SPAK ka dalë me njoftim zyrtar për goditjen e grupit kriminal të trafikut të drogës, të drejtuar nga Luçiano Koçekun i njohur si “Tur Koçeku”. Nga 20 masa sigurie, vetëm 4 janë ekzekutuar, ndër to dhe Ilir Shtufi i cili është arrestuar në Greqi.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën “Arrest në burg”, për 15 persona si edhe masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për 5 të tjerë.
Në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar më shumë se 50 kontrolle të personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë.
Në njoftimin e SPAK thuhet se janë dokumentuar veprimtaritë e një rrjeti kriminal që dyshohet se ka operuar në disa shtete të Europës dhe Amerikës Latine.
Sipas hetimeve, personat nën hetim A.H. dhe L.K dyshohet se kanë pasur rol drejtues në organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vende të Amerikës Latine drejt Europës, përmes porteve kryesore të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës.
Hetimet kanë evidentuar një strukturë të organizuar që përfshinte furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin kimik dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vende të ndryshme europiane.
Nga të dhënat hetimore rezulton se në këtë aktivitet kanë bashkëvepruar edhe personat nën hetim Orgest Birçaj, Orest Sota, Adrian Rama, Elton Memeti, Dritan Aga, ndërsa janë dokumentuar lidhje dhe bashkëpunime me shtetas të huaj dhe grupe kriminale që operojnë në vende të ndryshme.
Një prej episodeve kryesore të hetuara lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës, ku u arrestuan disa të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar sekuestrime të tjera të sasive të konsiderueshme të kokainës në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e rrjetit kriminal nën hetim.
Përmes SKY ECC dhe përgjimeve telefonike të kryera përgjatë këtij hetimi, autoritetet kanë dokumentuar kontakte dhe koordinim të vazhdueshëm mes personave nën hetim në lidhje me organizimin e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, menaxhimin e laboratorëve në Amerikën Latine, transportin e ngarkesave dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në tregjet europiane.
Sipas hetimeve, personat nën hetim dyshohet se kanë investuar të ardhura me burim kriminal në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përfshirjen e personave nën hetim Artur Shehu, Arben Ismailaj, Besnik Myftari në veprime që dyshohet se kanë përfshirë pastrim parash.
Sipas organit procedues, një pjesë e investimeve të dyshuara lidhen me prona dhe projekte ndërtimi në Tiranë, Palasë, Himarë dhe zona të tjera bregdetare, si dhe me shoqëri tregtare të përdorura për qarkullimin dhe investimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sekuestro preventive mbi disa pasuri, referuar kontratave të shitjes nga A.Sh, F.S, B.S tek kompania “A…L…D…sh.a”. Shuma e sekuestros preventive arrin në mbi 128.4 milionë euro.
Janë sekuestruar dy vila në Gjilekë, kompleksi Green Coast, Palasë Vlorë, si edhe vlera prej 500.000 euro e përfituar nga shitja e këtyre pasurive.
Një vilë në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera prej 200.000 euro, e përfituar nga shitja e kësaj pasurie.
Dy vila në Green Coast, Vlorë, si dhe vlera prej 680.000 euro e përfituar nga shitja e këtyre dy pasurive.
Një vilë në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera 220,710 euro e përfituar nga shitja e kësaj pasurie..
Dy vila në Gjilekë, Vlorë, si dhe vlera 506,467 euro, e përfituar nga shitja e këtyre pasurive.
Dy vila në kompleksin Rolling Hills, Tiranë.
Shtatë vila dhe dy apartamente, të ndodhura në Jalë, Vuno, Himarë.
Një vilë, e ndodhur në në Gjilekë, Vlorë.
336 llogari bankare të sekuestruara në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Shumat që duhet të sekuestrohen nga shoqëritë tregtare mund të arrijnë vlerën e mbi 6.2 milionë eurove dhe 9 milionë lekëve.
Sekuestro preventive është vendosur edhe mbi të drejtën e A.Sh, M.C, Xh.D dhe E.A për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim, si bashkëpronarë në këtë pasuri.
Gjithashtu janë sekuestruar truall, Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, mjete lundruese, automjete, apartamente dhe garazhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje