Shkodrani i Kombëtares shqiptare u përfol fillimisht se do të kalojë tek sheikët e PSG-së, por tani mbërrin një tjetër pretendim, këtë herë nga Anglia.
“The Sun” shkruan në edicionin e vet online se mbrojtësi i krahut të djathtë do të kalojë këtë verë tek Manchester United.
“Jose Mourinho i vlerëson maksimalisht cilësitë e Elseid Hysajt dhe sheh tek ai futbollistin ideal që mund të mbulojë një nga rolet ku 20 herë kampionët e Anglisë kanë pasur më shumë probleme atë të mbrojtësit të djathtë”, thotë “The Sun”.
Media britanike shton se futbollisti i Napolit shihet si ideal për karakteristikat që tregon në fushën e lojës.
Napoli ka vendosur një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh për mbrojtësin, i cili mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës së Sarrit në fazën mbrojtëse.
Vetë Sarri e ka kritikuar shpesh Presidentin De Laurentis në lidhje me klauzolën e Hysajt, të cilën e konsideronte shumë të ulët.
“The Sun” konsideron thuajse të mbyllur çështjen e transferimit të 24-vjeçarit në Old Trafford, që nëse do të realizohet do ta rendiste Hysjan mbrojtësin e shtatë më të shtrenjtë në histori, përpara Bonuccit.
Prej 2016, Mourinho e ka përdorur në krahun e djathtë të mbrojtjes Antonio Valencia, por ky i fundit ka shfaqur luhatje në fazën difensive dhe për më tepër, feston 33-vjetorin në muajin gusht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.