Nga Gazeta ‘Si’- Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë në muaj do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 7 miliardë lekë më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht për vitin 2026.
Sipas një raporti të Ministrisë së Financave mbi devijancat mes Buxhetit 2026 dhe Kuadrit Makroekonomik e Fiskal 2026-2028, rritja e shpenzimeve për personelin arrin në 7 miliardë lekë, ose 0.25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky fond lidhet kryesisht me rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, si dhe me indeksimin e pagave në administratën publike.
Megjithatë, dokumenti zyrtar tregon se devijanca më e madhe në shpenzimet e shtetit nuk vjen nga pagat, por nga fondet speciale. Ky zë rezulton 11.7 miliardë lekë, ose 0.42% e PBB-së, më i lartë se parashikimi fillestar, duke përbërë ndikimin më të madh fiskal në Buxhetin 2026.
Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje lidhet me bonusin e pensionistëve, për të cilin janë parashikuar 6.2 miliardë lekë shtesë. Sipas raportit, fondi reflekton politikën e reformës së pensioneve dhe objektivin për rritjen e pensionit minimal në nivelin e 200 eurove, një masë që nuk ishte përfshirë në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal të miratuar në janar 2025.
Një tjetër zë me ndikim të konsiderueshëm janë shpenzimet për sigurimet shëndetësore, të cilat rriten me 3.88 miliardë lekë. Shtesa lidhet me indeksimin e pagave, njësimin e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve me administratën publike, si dhe me financimin shtesë të sistemit spitalor, përfshirë shërbimin e ri të trombektomisë.
Ndërkohë, skema e sigurimeve shoqërore përfiton 1.2 miliardë lekë më shumë, si rezultat i efektit që sjell rritja e pagës minimale në kontributet shoqërore dhe zgjerimi i bazës së kontribuuesve.
Sipas Ministrisë së Financave, financimi i këtyre devijancave mbështetet në hapësirën fiskale të krijuar nga rritja e pritshme ekonomike dhe zgjerimi i të ardhurave buxhetore. Megjithatë, fondet speciale mbeten zëri që ushtron presionin më të madh mbi strukturën e shpenzimeve të Buxhetit 2026.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje