Gazeta Si – Gjatë betimit të tij si president më 20 janar 2025, Donald Trump tha se do të sillte një “epokë të artë”.
Por, duke e parë nga afër, është Inteligjenca Artificiale dhe jo ari, që po i bën Shtetet e Bashkuara vendin me rritjen më të shpejtë në botë.
Performanca rekord e tregut të aksioneve, një bum në investimet në Inteligjencën Artificiale dhe shkurtimet tatimore dhe burokratike, janë themelet që mbështesin rritjen e vazhdueshme të ekonomisë amerikane, madje edhe gjatë mandatit të dytë të presidentit.
Ndërsa vende si Japonia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar u rritën me rreth 1% në vitin 2025, prodhimi amerikan, nga ana tjetër, shënoi një rritje prej 2.1%.
Kjo shifër do të ishte zilia e të gjitha fuqive të mëdha ekonomike të botës, por ajo nënvlerëson potencialin e vërtetë të Shteteve të Bashkuara.
Sipas “Economist”, SHBA-të mund të bënin edhe më mirë nëse nuk do të penalizoheshin nga ajo që revista javore britanike e ka quajtur “Taksa Maga”, kostoja ekonomike e politikave të jashtme, tregtare dhe të emigracionit të prezantuara nga administrata Trump.
Bumi i Inteligjencës Artificiale – Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, trashëgoi një ekonomi tashmë në lulëzim, por që nga inaugurimi i tij, rritja amerikane ka vazhduar, e nxitur kryesisht nga sektori i teknologjisë dhe kapitalizimi i lidhur me Inteligjencën Artificiale: investimet kapitale, nga vetëm katër gjigantë të Inteligjencës Artificiale dhe informatikës cloud (Alphabet, Amazon, Meta dhe Microsoft), tejkaluan 350 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe, sipas raporteve të tyre të fundit financiare, pritet të rriten në afërsisht 700 miliardë dollarë në vitin 2026.
Furia e Inteligjencës Artificiale ka shkaktuar një valë shpenzimesh për qendrat e të dhënave, çipat, sistemet e ftohjes dhe softuerët.
Vetëm vitin e kaluar, investimet reale në pajisjet dhe softuerët e lidhur me Inteligjencën Artificiale u rritën me mbi 15%, që do të thotë se gati një pikë përqindjeje e rritjes vjetore të PBB-së është e lidhur me AI-në.
Megjithatë, kjo shifër mbivlerëson kontributin e vërtetë të sektorit në PBB: sipas llogaritjeve të “The Economist”, afërsisht 50 miliardë dollarë të investuar në sektor mbetën brenda vendit (ndërsa pjesa më e madhe e shpenzimeve shkuan për pajisje të importuara nga prodhuesit aziatikë), duke kontribuar me 0.2% në rritjen vjetore të produktit të brendshëm bruto.
Rritja e tregut të aksioneve – Ekziston edhe një faktor tjetër: përsëri i nxitur nga bumi i Inteligjencës Artificiale, Wall Street ka parë gjithashtu nivele rekord vitin e kaluar: indeksi S&P 500 – indeksi i kompanive të mëdha amerikane – për shembull, u rrit me rreth 15% në terma realë. Kjo, sipas javorit britanik, mund t’i ketë shtuar 0.3 pikë përqindjeje rritjes.
Politikat ekonomike të Trump – Faktori i tretë që nxit rritjen për ekonominë amerikane, janë politikat ekonomike të manjatit: administrata Trump ka lehtësuar bashkimet e korporatave, ka urdhëruar agjencitë federale të zvogëlojnë burokracinë dhe ka lehtësuar kufizimet mbi kredinë private.
Dhe kjo nuk është e gjitha: projektligji i taksave i vitit 2025 ka injektuar triliona dollarë në stimuj fiskalë në ekonomi përmes shkurtimeve.
Sipas vlerësimeve, ky legjislacion do të shtonte kështu edhe 0.2 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së në vitin e parë dhe edhe 0.4% në vitin 2026.
“Taksa MAGA” – Ndërsa shumë nga politikat e Trump kanë nxitur ekonominë amerikane, ka po aq shumë që e kanë penguar vendin të rritet në potencialin e tij të plotë.
Para së gjithash, tarifat: tarifat doganore të vendosura nga presidenti kanë ulur rritjen reale të PBB-së me rreth 0.2% në vitin 2025. Kufizimet e emigracionit janë gjithashtu dëmtuese, me një humbje të vlerësuar prej 0.2%.
Por më shumë se çdo gjë tjetër, luhatjet e vazhdueshme të humorit të Trump, po shkaktojnë një ngadalësim në rritjen e vendit: ndër të tjera, pasiguritë në lidhje me luftërat dhe tarifat po shkaktojnë luhatje të tregjeve të aksioneve dhe investimeve.
Sipas “The Economist”, pasi të përjashtohet nga pamja nxitja nga Inteligjenca Artificiale, situata nuk është aq rozë sa mund të dukej: në katër tremujorët e fundit, investimet në sektorë të tjerë kanë rënë me rreth 130 miliardë dollarë krahasuar me trendin e dekadës së fundit.
Recesioni në shpenzimet kapitale po e zvogëlon kështu rritjen e PBB-së me rreth 0.4 pikë përqindjeje. Prandaj, të kombinuara, presioni nga tarifat mbi të ardhurat reale, furnizimi i reduktuar i punës dhe hezitimi i korporatave në lidhje me kapitalin përbëjnë 0.8 pikë përqindjeje.
Kështu, Amerika vazhdon të fitojë dhe të rritet edhe nën drejtimin e Trumpit, por mund ta bëjë këtë edhe më shpejt pa barrën e të ashtuquajturës “Taksa MAGA”: përfitimet e nxjerra, ndër të tjera, nga uljet e taksave të futura nga Trump dhe bumi i investimeve në Inteligjencën Artificiale, po shpërdorohen për shkak të emigracionit dhe politikave të jashtme, si dhe tarifave të futura nga vetë miliarderi, duke e penguar Amerikën të rritet vërtet aq sa mundet.
Sipas “Economist”, në fakt, e gjithë kjo nuk do ta pengonte PBB-në amerikane të rritej me një normë vjetore prej 4% në tremujorin aktual, që do të thoshte se, pa frenën e padukshme të “taksës MAGA”, Shtetet e Bashkuara mund të rriteshin me rreth 5%.
Pasuria e miliarderit rritet – Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka përkuar gjithashtu me një rritje të ndjeshme të pasurisë së tij personale.
Sipas “Times”, në 18 muajt e parë të mandatit të tij të dytë, pasuria e ish-miliarderit është rritur me 165%. Vlerësimet e cituara nga gazeta britanike e çojnë pasurinë e tij në mes 6 dhe 7 miliardë dollarëve.
Kjo rritje thuhet se është nxitur kryesisht nga bumi i aktiviteteve financiare dhe dixhitale të lidhura me markën Trump.
Kriptomonedha dhe pasuri të paluajtshme – Në zemër të zgjerimit të ri ekonomik të familjes, është bota e kriptomonedhave.
“The Times” thekson konkretisht World Liberty Financial, një kompani të lidhur me familjen Trump, si një nga nxitësit kryesorë të rritjes së pasurisë, me një projekt që do të kishte gjeneruar mbi 1.4 miliardë dollarë të ardhura, përveç afërsisht 2 miliardë dollarëve në fitime të mundshme në letër falë rritjes së vlerës së tokenëve digjitalë.
Kësaj i shtohen edhe pronat e paluajtshme, të cilat mbeten një pjesë kyçe e perandorisë ekonomike të Trump: vendpushimet, fushat e golfit, hotelet dhe pronat luksoze vazhdojnë të përfaqësojnë asete miliardë dollarëshe të “Organizatës Trump”.
Këto përfshijnë Mar-a-Lagon dhe disa komplekse turistike dhe banesa në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç pasurive të paluajtshme, aktivitetet e licencimit të markës së Trump gjithashtu vazhdojnë të rriten. Emri i ish-presidentit tani përdoret në projekte të shumta tregtare: telefona, orë, NFT dhe iniciativa digjitale që shfrytëzojnë forcën e markës së ndërtuar gjatë viteve.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje