Nga Gazeta ‘Si’- Delegacioni i kongresistëve amerikanë, pas vizitës në Luginën e Preshevës, ka deklaruar se vazhdojnë të ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.
Keith Self nga radhët e republikanëve deklaroi para gazetarëve se arsyeja pse do të vizitojnë edhe Kosovën është për të kuptuar më mirë jetesën e serbëve në Kosovë.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, deklaroi ai para gazetarëve.
Ndërsa Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u shpreh para gazetarëve se kanë zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë edhe deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”.
Ndërkohë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha para gazetarëve se kongresistët janë bindur për situatën në terren, duke theksuar se “problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare”.
Kjo vizitë vjen pasi Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, i cili i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Lugina e Preshevës.
Po ashtu, në të trajtoheshin edhe kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Të njëjtat çështje ishin përmendur edhe në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje