Politike

Ulja e numrit të deputetëve në Kuvend? Tarran: Problem shqiptar, vendoseni vetë

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi nga Pogradeci se procesi i reformës zgjedhore dhe ai i reformës territoriale mbeten në dorën e institucioneve shqiptare, ndërsa roli i organizatës që ai përfaqëson është vetëm mbështetës dhe jo vendimmarrës.

Tarran theksoi se Prezenca e OSBE-së ka asistuar punën e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, por pranoi se procesi ka avancuar me ritme të ngadalta dhe ka humbur kohë, edhe pse tashmë puna është rifilluar.

Sipas ambasadorit, një nga elementët më të rëndësishëm të diskutimeve ka qenë financimi i partive politike, të cilin e konsideroi një komponent thelbësor për funksionimin e demokracisë.

“Ne nuk jemi këtu për të propozuar një model të caktuar. Ka modele të ndryshme dhe çdo vend ka sistemin e vet”, u shpreh ai, duke nënvizuar se OSBE mbështet zbatimin e rekomandimeve, por nuk ndërhyn në përcaktimin e sistemit politik apo zgjedhor.

Në lidhje me debatin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe numrin e deputetëve në Kuvend, ambasadori tha se këto janë çështje që u takojnë vetëm shqiptarëve.

Ai komentoi edhe mundësinë e ndryshimeve në hartën territoriale, duke u shprehur se deri tani nuk ka sinjale që një hartë e re të jetë gati për t’u zbatuar.

“Nuk jam i sigurt që do të shkoni me një hartë të re territoriale. Nuk e di, do të shohim. Deri tani nuk kam dëgjuar që do të jetë gati një hartë e re dhe e di që edhe këtu ka mendime të ndryshme. Nuk është puna ime të hyj në këtë debat”, deklaroi ai.

I pyetur për pakënaqësitë e partive të vogla ndaj reformës zgjedhore dhe dominimit të partive të mëdha, Tarran tha se debate të tilla ekzistojnë edhe në vende të tjera demokratike.

Ai solli si shembull sistemin politik në Shtetet e Bashkuara, ku dominon modeli dypartiak, duke theksuar se kjo nuk e bën më pak demokratik sistemin.

Ambasadori u ndal edhe te rrugëtimi demokratik i Shqipërisë, duke e cilësuar vendin ende në një fazë tranzicioni institucional, por me zhvillim të vazhdueshëm.

“Tranzicioni nuk do të thotë mungesë zhvillimi. Zhvillimi vazhdon dhe mendoj se tranzicioni do të vazhdojë. Edhe tek ne ndryshon sistemi zgjedhor. Jam francez dhe në Francë kemi pasur disa reforma zgjedhore dhe vijojmë të diskutojmë për to”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë