Politike

Korreshi ngre alarmin për spitalin e Lushnjës, ministrja Sala mbron investimet

Nga Gazeta Si- Dy anë të spitalit të Lushnjës u ‘prezantuan’ sot në kuvend, njëra nga deputeti Saimir Korreshi dhe tjetra nga ministrja e shëndetësisë Evis Sala.

Korreshi akuzoi se kushtet në spital janë të rënda, duke thënë se ka mungesa në infrastrukturë dhe funksionim të dobët të shërbimeve. Ai tha se disa shërbime janë zhvendosur në ambiente të papërshtatshme dhe ngriti shqetësime për mungesë të funksionimit të ashensorëve.

Sipas tij, në disa raste pacientët, përfshirë gratë në lindje, përballen me vështirësi serioze në aksesin ndaj shërbimeve spitalore. Ai foli edhe për mensën e spitalit, duke thënë se ushqimet gatuhen nga një prej infermiereve, e jo nga kuzhiniere.

“Çfarë mungon në spitalin e Lushnjës sot? Alkooli, pambuku, vigoni. Se që ta dini është bërë barceletë atje, thotë mjekja ‘Ku është pambuku me alkool?’, s’ka alkool, e sjell infermierja pambukun me ujë dhe thotë mjekja ‘Pse e keni lënë hapur alkoolin se i ka ikur era?’.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala deklaroi se spitali i Lushnjës është pjesë e një programi kombëtar investimesh në infrastrukturën spitalore dhe se qeveria po ndjek një plan të strukturuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

 “Për 2027 janë parashikuar më shumë investime. Është e lehtë të bësh opozitë me batuta”, u shpreh ministrja, duke theksuar se në objektiv është edhe pajisja e spitalit me aparatura të reja, përfshirë një mamografi.

Në përgjigje të akuzave të ngritura nga opozita, ministrja theksoi: “Qytetarët kanë nevojë për të vërtetën dhe jo alarm politik”.

“Më e vështirë është të ndërtosh spitale, të financosh aparatura dhe të mbash sistemin në punë gjatë rikonstruksionit, siç ne po bëjmë sot”, u përgjigj ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë