Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar u ndal tek dëgjesat që po zhvillohen në të gjithë vendin nga Komisioni për Reformën Territoriale.
Berisha tha se PD do propozojë hartën më të mirë dhe se do zbatojë të gjithë rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.
“Nga Komisioni i Reformës punohet mbi bazën e dokumentave të shkëlqyera dhe rekomandimeve të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë absolutisht një më një rekomandimet e tyre. Ne jemi shumë mirënjohës me prezantimet e tyre të drejta, pa të cilave nuk mund t’u jepej kurrsesi përgjigje problemeve madhore të farsës elektorale në Shqipëri.”, tha Berisha.
Sipas tij, janë organizuar dëgjesa “të rëndësishme dhe të çmuara”, ku shqiptarët kanë dhënë vlerësimet e tyre për atë që e quan “pseudoreformën” e Edi Ramës”, e cila sipas liderit demokrat ishte e tëra në funksion të shpopullimit të Shqipërisë dhe të “farsës” elektorale.
Berisha tha se i garanton qytetarët se janë të vendosur të paraqesin “në përputhje me interesat e tyre hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve dhe këtë na e bën të mundur plotësisht ekspertiza e jashtëzakonshme që kanë Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Europës të Këshillit të Europës”.
Mes të tjerash, Berisha komentoi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për të cilat tha se PD nuk do t’i pranojë ato.
“Dhe grupi i punës, siç do ta dëgjoni edhe ju, ka bërë një punë serioze bashkë me të tjerët, të cilët përsëri janë përpjekur në mënyra të ndryshme të ngushtojnë hapësirën e opozitës, por në mënyrë absolute nuk e pranojmë. Sikundër nuk mund të pranohet asnjë lloj modifikimi, propozimi që bie ndesh me përcaktimin e Kushtetutës. Dhe tani jemi këtu, të shohim pak edhe përgjegjësinë tonë.”, tha Berisha.
Kreu i opozitës theksoi se demokratët nuk do ta pranojnë kurrë delegimin e interpelancave nga kryeministri dhe ministrat.
“Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri.
Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë. Nuk vjen, ne marrim vendimet tona. Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur. Se nuk paraqitet dot ai, e kuptoni apo jo. Ai është shkatërruar nga nervat dhe çdo gjë. Ai është i sfazuar tani dhe nuk paraqitet për asgjë. Prandaj dhe ikën, prandaj dhe nuk duket në parlament. Por ai duhet të paraqitet. Kështu që do vazhdojnë kërkesat për interpelanca dhe detyrimi i tij është kushtetues për t’u paraqitur në interpelanca. Janë bërë kaq të shumta dosjet e tij, aferat e tij personale dhe familjare, saqë populli kërkon transparencë. Nuk mund të vazhdohet duke ikur, duke shkelur Kushtetutën siç bën ai.”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje