Politike

Ankesat e studentëve për policinë maqedonase/ Ministria e Jashtme: Ishim në kontakt

Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Jashtme ka reaguar lidhur me pretendimet për mungesë reagimi të shtetit shqiptar ndaj shqetësimeve të studentëve shqiptarë në Shkup.

Në reagimin zyrtar thuhet se është “krejt e padrejtë” të krijohet përshtypja sikur institucionet shqiptare kanë qenë pasive përballë situatës së krijuar me studentët shqiptarë.

Sipas ministrisë së Jashtme, ambasada shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me studentët, ndërsa theksohet se Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, gjatë qëndrimit në Shkup, është takuar personalisht me studentët për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Po ashtu, zëdhënësi Hysi sqaron se edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë dhe të drejtës së tyre për përdorimin e gjuhës shqipe.

Studentët nga Tirana që udhëtuan për t’iu bashkuar protestës për gjuhën shqipe në Shkup kanë denoncuar keqtrajtimin nga policia maqedonase. Ata kanë deklaruar se janë përballur me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet e Shkupit.

Pas këtyre raportimeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dënoi atë që e cilësoi si “ndalim arbitrar” dhe “trajtim çnjerëzor” ndaj të rinjve shqiptarë, duke pretenduar se ata janë mbajtur për afro 9 orë në pikat kufitare pa asnjë akuzë apo shpjegim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë