Nga Gazeta ‘Si’- Studentët nga Tirana që udhëtuan për t’iu bashkuar protestës për gjuhën shqipe në Shkup kanë denoncuar keqtrajtimin nga policia maqedonase. Ata kanë deklaruar se janë përballur me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet e Shkupit.
Studentët shprehen se pasi janë ndaluar në kufirin e Bllatës, janë kontrolluar një nga një dhe madje i kanë sorollatur nga Dibra deri në Kumanovë, edhe pse destinacioni i tyre ishte Shkupi. Për rreth tetë orë studentët janë shoqëruar nga policia dhe nuk janë lejuar as të ndalonin për të blerë ujë, ushqim apo për të kryer nevojat personale.

Pas këtij raportimi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dënoi atë që e cilësoi si “ndalim arbitrar” dhe “trajtim çnjerëzor” ndaj të rinjve shqiptarë, duke pretenduar se ata janë mbajtur për afro 9 orë në pikat kufitare pa asnjë akuzë apo shpjegim.
Sipas tij, shumica e studentëve ishin të moshës 18-20 vjeç, ndërsa shumë prej tyre vajza, të cilët po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
“Është skandaloze që studentë shqiptarë të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar”, shprehet Bardhi në reagimin e tij.
Ai akuzoi gjithashtu autoritetet maqedonase se i kanë lëvizur të rinjtë shqiptarë nga kufiri me Shqipërinë drejt Kumanovës dhe më pas pranë kufirit me Serbinë, pa procedura normale dhe pa sqarime.
Në reagimin e tij, Bardhi kritikoi edhe institucionet shqiptare për mungesë reagimi ndaj situatës, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Qeveria Shqiptare apo Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore”, deklaron Bardhi, ndërsa e cilëson heshtjen e Tiranës zyrtare si “kapitullim dhe braktisje të turpshme të qytetarëve shqiptarë”.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për mungesë mbështetjeje ndaj qytetarëve shqiptarë që, sipas tij, janë poshtëruar dhe keqtrajtuar në kufi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje