Gazeta Si – Trajneri brazilian Sylvinho Mendes i ka dhënë fund aventurës në drejtimin e kombëtares shqiptare pas 3 vitesh e gjysmë.
Lajmi është bërë i ditur nga një komunikim për mediat i FSHF-së, e cila ka njoftuar se tekniku brazilian nuk do të jetë më në krye të kuqezinjve.
Ndërkohë, Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. 62-vjeçari italian prej korrikut të vitit 2025 është i papunë, teksa drejtoi Breshian në 15 takime.
Më herët, Maran ka qenë edhe trajneri i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. Kjo është hera e parë që Maran do të jetë në stolin e një ekipi kombëtar.

Sylvinho ishte në përfundim të kontratës së tij, e cila skadonte në fund të muajit qershor. Pavarësisht diskutimeve për një rinovim të mundshëm, palët kanë rënë dakord që të mos ketë vazhdim, pas moskualifikimit të Shqipërisë në Botërorin 2026.
Së bashku me Sylvinhon pritet të largohen edhe pjesëtarët e stafit të tij teknik, ndihmësit Doriva dhe Pablo Zabaleta.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë para dy ndeshjeve miqësore që Shqipëria do të zhvillojë në Tiranë ndaj Izraelit më 3 qershor dhe Luksemburgut më 6 qershor.
Sylvinho kishte marrë drejtimin e kuqezinjve në fillim të vitit 2023 dhe gjatë periudhës së tij arriti një sukses historik duke e kualifikuar Shqipërinë në Euro 2024, ku ekipi u rendit i pari në grupin kualifikues.
Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria përfundoi e dyta pas Anglisë, duke lënë pas Serbinë dhe duke siguruar pjesëmarrjen në fazën “play-off”, ku u eliminua nga Polonia me rezultatin 2-1 në Varshavë.
Gjatë gjithë periudhës së tij në stol, Sylvinho drejtoi Shqipërinë në 34 ndeshje, duke regjistruar 15 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje, me një mesatare prej 1.53 pikësh për ndeshje. Në këtë periudhë, Kombëtarja shënoi 40 gola dhe pësoi 30.
Me ardhjen e tij, Shqipëria arriti gjithashtu një rritje të dukshme në performancë dhe stabilitet taktik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje