Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë foltoren e radhës para godinës së Këshillit të Ministrave, ku mbajti sërish një fjalim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Berisha deklaroi se “opozita shqiptare është e pamposhtur”, duke theksuar se ajo po qëndron për “të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, pavarësisht presioneve politike dhe sulmeve ndaj saj.
Lideri demokrat e cilësoi Shqipërinë si “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, ndërsa akuzoi qeverinë se mbështetet te kartelet e drogës, korrupsioni dhe vjedhja e pasurisë publike. Sipas Berishës, regjimi i Ramës ka sjellë varfërim të shqiptarëve dhe rritje të kostos së jetesës.
Ritheksoi se sipas tij opozita gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe se demokratët do të vazhdojnë qëndresën kundër qeverisë.
“Si do jetojnë shqiptarët? E ka bërë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, në një kohë kur me baxhanakun dhe vetë kanë vjedhur qindra e qindra milionë, personalisht ai miliarda. Por ne qëndrojmë. Ne jemi këtu të betuar, të pamposhtur në qëndresën tonë”, deklaroi kryedemokrati.
Ai u ndal edhe te procesi i integrimit europian i Shqipërisë.
“Dhe se përveç kriterit gjeopolitik, me regjimin e Edi Ramës nuk plotëson absolutisht asnjë kriter tjetër, asnjë standard tjetër për integrimin e saj në BE. Por ne mbështesim integrimin. Po pse? Se mund të thoni pse e mbështesni. Jo, gjeopolitika është forcë natyrale.
Ne nuk duam kurrë që ky vend të përfundojë në hapësira të tjera. Ne duam që ky vend të mbetet përjetësisht në hapësirën perëndimore, në hapësirën evropiane. Ndaj dhe ne, duke iu përmbajtur të vërtetës, kemi deklaruar se përveç kriterit gjeopolitik, nuk plotëson asnjë kriter, por ne mbështesim integrimin e Shqipërisë”, përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje