Nga Gazeta Si- Përplasjet për aeroportin e Vlorës nuk kanë të sosur ku ditën e sotme ka ndodhur dhe e radhës.
Në një reagim të ashpër publik, përfaqësuesi i kompanisë MABCO, me drejtor Behgjet Pacollin, pretendon se punonjësit dhe specialistët e saj të huaj janë ndaluar të hyjnë në kantier nga roje private, në atë që kompania e konsideron një “tentativë shpronësimi de facto”.
Ngjarja vjen pas përplasjes në gjykatë mes Pacollit e Ademit dhe fitores së këtij të fundit në Apel, që i njohu administrimin e aeroportit të Vlorës.
“Duke ushtruar dhunë dhe forcë nëpërmjet rojeve private, aksioneri me 2 për qind, 2A Group, ka ndaluar hyrjen në kantier të të gjithë stafit, duke marrë peng një investim strategjik siç është aeroporti i Vlorës”, thotë përfaqësuesi i MABCO, duke shtuar se situata në terren mund të përshkallëzohet më tej nëse institucionet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë.
“Shoqëria zviceriane MABCO nuk mund të pranojë të grabitet ditën për diell, me forcën e dhunës, nga disa individë që përdorin lidhje të caktuara politike. I bëjmë thirrje policisë se shtetit dhe prokurorisë të ndërhyjnë në zbatim të ligjit sa nuk është vonë”.
Sipas MABCO-s, pasi puna kryesore është bërë, pasuria është krijuar dhe projekti ka hyrë në fazën përfundimtare, tani tentohet që MABCO të largohet fizikisht nga kantieri.
Në pritje të reagimit institucional, MABCO kërkon që aksesi i saj në kantier të garantohet menjëherë.
Kjo është përplasja më e fundit nga konflikti i nisur muaj më parë nga dy ortakët e shoqërisë “VIA”. Shkak për konfliktin është çështja e kuotave të aksioneve.
Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49%, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje