Nga Gazeta ‘Si’- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ankimuar zyrtarisht vendimin për përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe në kundërshtim me statutin e partisë.
Në kërkesën drejtuar kryesisë së PD-së, Salianji pretendon se nuk është njoftuar zyrtarisht për asnjë masë disiplinore ndaj tij dhe se nuk i është pranuar dokumentacioni i kandidimit. Sipas tij, përfaqësuesit e tij janë penguar të dorëzojnë dokumentet në seli, duke u detyruar t’i dërgojnë ato me postë dhe email.
Ai kundërshton gjithashtu deklaratat e sekretarit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, i cili është shprehur se Salianji nuk plotëson kriteret për kandidim pasi nuk është më anëtar i partisë për shkak të pretendimeve për lidhje të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar.
Salianji i mohon këto akuza dhe kërkon që çdo pretendim ndaj tij të bëhet publik dhe të mbështetet me prova, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim i zbardhur për përjashtimin e tij.
Në kërkesën e tij, ai ka ngritur gjithashtu pretendime për procesin zgjedhor në PD, duke argumentuar se kandidimi i Sali Berishës bie ndesh me statutin e partisë, pasi sipas tij mandati i kryetarit ka përfunduar pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe nuk lejohet rikandidimi.
Salianji kërkon shpalljen të pavlefshme të çdo vendimi për përjashtimin e tij, anulimin e vendimit të KOKOE-së dhe shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimeve të marra nga kryesia e PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje