Kosova

SHBA-ja gati paketën e armatimit për Kosovën në vlerë prej 14 milionë dollarësh

Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara për një leje të propozuar eksporti, e cila parashikon dërgimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të lidhura me sektorin e mbrojtjes drejt Kosovës.

Vlera e këtij paketi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë brenda Kongresit, arrin në 14 milionë dollarë ose më shumë.

Ky njoftim është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit dhe tashmë i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit. Megjithatë, në dokumentin e Kongresit nuk janë dhënë hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë licencë.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe mbrojtjes.

SHBA-ja ka qenë donatori më i madh bilateral në fushën e mbrojtjes, duke ofruar ndihmë të konsiderueshme materiale, logjistike dhe trajnuese për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë viteve, Kosova ka pranuar nga SHBA-ja autoblinda të tipit Humvee dhe Oshkosh, automjete të blinduara MRAP, kamionë logjistikë, si dhe pajisje personale ushtarake, duke përfshirë jelekë antiplumb, përkrenare, armë të lehta dhe sisteme komunikimi.

Përveç pajisjeve, SHBA-ja ka investuar edhe në infrastrukturën ushtarake, përmes projekteve që kanë përfshirë ndërtimin dhe modernizimin e qendrave të trajnimit dhe objekteve logjistike.

Një komponent kyç ka qenë gjithashtu trajnimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të FSK-së në akademitë ushtarake amerikane, në kuadër të programeve si IMET (International Military Education and Training), duke ndihmuar kështu në ngritjen e kapaciteteve profesionale të oficerëve dhe ushtarëve kosovarë.

Këto donacione dhe programe ndihme shihen si pjesë e angazhimit strategjik të SHBA-së për të garantuar stabilitet dhe siguri afatgjatë në Kosovë dhe rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë