Nga Gazeta ‘SI’ – Stoku i kredive me probleme në Shqipëri është rritur lehtë gjatë muajit mars, duke u rikthyer në nivelin 3.85%. Sipas të dhënave zyrtare, ky tregues shënoi një rritje prej 0.05 pikë përqindje krahasuar me muajin shkurt.
Megjithëse përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredive mbetet në nivele jo shqetësuese, zhvillimi shihet si një efekt i pritshëm i zgjerimit të përgjithshëm të kreditimit në ekonomi.
Nga ana tjetër, anketa e Bankës së Shqipërisë për gjysmën e dytë të vitit 2025 evidentoi një dobësim të aftësisë paguese të familjeve shqiptare, paralelisht me rritjen e huamarrjes.

Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori masa për pastrimin e bilanceve bankare përmes ristrukturimit dhe heqjes nga bilancet të një pjese të konsiderueshme të kredive me probleme, me vlerë rreth 7 miliardë lekë. Ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e stokut total të kredive me probleme.
Njëkohësisht, bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit, veçanërisht për kreditë për blerje banesash. Ky segment ka qenë vazhdimisht në fokus të Bankës së Shqipërisë, e cila ka vendosur kufizime mbi financimin, duke përcaktuar që vlera e kredisë të mos kalojë 80% të vlerës së pronës.
Këto masa synojnë të kufizojnë rreziqet e mbinxehjes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe të ruajnë stabilitetin financiar në afatgjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje