Nga Gazeta ‘SI’- Inflacioni në muajin prill ka arritur nivelin më të lartë të dy viteve të fundit, duke u regjistruar në 2.8%.
Sipas INSTAT, në bazë vjetore rritja më e fortë është shënuar te transporti, ku përfshihen edhe çmimet e karburanteve, me një rritje prej 8.5%. Pas tij renditet grupi “qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4.7%, ndërsa sigurimet janë rritur me 4.1%. Ushqimet dhe pijet joalkoolike kanë pasur një rritje më të lehtë, prej 1.3%.

Krahasuar me muajin mars, çmimet e transportit janë rritur me 1%, të ndjekura nga argëtimi dhe kultura me 0.9%. Kujdesi personal dhe mallrat e shërbimet e ndryshme janë shtrenjtuar me 0.8%, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani me 0.7%.
Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në inflacion gjatë prillit e kanë pasur grupi i qirasë me 0.93 pikë përqindje dhe transporti me 0.55 pikë përqindje.
Rritja e inflacionit lidhet edhe me zhvillimet në tregjet botërore të naftës, të ndikuara nga tensionet në Lindjen e Mesme, një rajon kyç për furnizimin me karburante. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, tendenca e inflacionit mund të vijojë, ndërsa ndikimi i tij do të varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i krizave gjeopolitike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje