Nga Gazeta ‘Si’- ‘Reforma në drejtësi ishte një nga sfidat më të mëdha që ka ndërmarrë ndonjëherë politika shqiptare.’
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në hapjen e Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Tiranë personalitetet të drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa shtoi se një vend duhet të udhëhiqet nga ligji dhe jo nga forca.
“Nuk besoj se do kishte njeri këtu në këtë sallë apo jashtë që do ngrinte doren nëse unë do pyesja nëse do ta kishte imagjinuar që Kongresi Botëror i Ligjit do të bëhej në Tiranë në 2027.
Askush nuk do ta kishte imagjinuar që Shqipëria do të përzgjidhej nga kjo platformë si një vend mikprites i këtij kongresi, jo për pozicionin e saj gjeografik, jo për klimën apo mikpritjen e saj, por për çka Shqipëria ka bërë në raport me një sfidë historike dhe të pamundur për shumë dekada për të ndërtuar këtu në këtë vend, kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji dhe jo forca”, tha Rama.
Ai kujtoi procesin e vettingut në drejtësi, duke thënë se në kohën kur u konceptua reforma, u zhvillua edhe një anketim publik ku, sipas tij, 90% e shqiptarëve e mbështetën fuqimisht procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
Ai shtoi se vettingu fillimisht u mbështet fort nga qeveria, ndërsa më pas u sigurua edhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë.
Rama u shpreh megjithatë se reforma në drejtësi duhet zbatuar në formë dhe në gërma, ndërsa tha se duhet të sigurohet mbështetje e plotë nga politika.
Ai shtoi se reforma në drejtësi do të shkojë përpara, pavarësisht kostove të mëdha.
“Pavarësisht nga kalimet e sistemeve, një gjë ishte e pandryshuar: shpata e zonjës së drejtësisë ishte e palëvizur në zyrën e të parit të qeverisë. Në 2013 ne bëmë atë që s’kishte guxuar ta bënte askush më parë. Ne i hymë detit në këmbë, duke vendosur diçka dramatike për njerëz që përfaqësojnë një pushtet politik në shumicë: të dorëzojmë shpatën tek një forcë tjetër dhe të krijojmë kushtet që, me këtë hapësirë, të krijohet një pushtet i pavarur nga pushteti politik.
Ndërtimi i institucioneve të projektuara në atë reformë nuk është një proces që mund të përmbushet as në një dekadë, as në dy dekada. Një dekadë tani ka kaluar, një dekadë tjetër ka nisur dhe procesi vazhdon.
Ajo çka duhet të garantohet në mënyrë të palëkundur është që procesi të mbështetet me çdo kusht nga forcat që kanë kapacitet ta ndryshojnë rrjedhën e tij, që do të thotë nga pushteti politik”, deklaroi Rama.
Ndërkohë Javier Cremades, President nga Shoqata Botërore e Juristëve nga Fondacioni Botëror i Ligjit tha se Shqipëria u zgjodh për Kongresin Botëror të Ligjit për shkak të ambicieve për të qenë pjesë e BE-së dhe se kjo bëhet përmes sundimit të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje