Politike

Homazhet për Servet Pëllumbin, Rama: Do të mbetet gjithnjë pikë referimi

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e lamtumirës të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi tha se ai ishte një burrë progresist, i mençur dhe babaxhan.

Rama kujtoi se Servet Pëllumbi e kishte ndihmuar në momente të vështira dhe tha se ajo që mes tyre nisi si antipati në distancë, rezultoi në simpati reciproke në afërsi.

Ai shtoi se Pëllumbi ishte pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave.

“U shpreh ngushëllimet e mia gjithë familjes dhe të afërmve të professor Servet Pëllumbit. Unë profesorin e kam njohur pak dhe përgjithësisht e kam njohur nga larg. Marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe më pas e një simpatie reciproke në afërsi. Profesori përfaqësonte çdo gjë që unë nuk simpantizoja, konservator, markist-leninist, sovjetik, këto etiketime i bëhëshin.

Ka qenë një mësim në jetën time përballja me njeriun përtej etiketimeve në sferën publike dhe për surprizën time, kam njohur një njeri shumë progresist dhe dashamirës ndaj kujtdo që donte të bënte diçka ndryshe. Ka qenë pranë meje në momente të vështira. Më çonte fjalë inkurajuese dhe më ndihmonte të shoh se përtej momentit të vështirë, kishte një kategori njerëzish, që e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi dhe me vërtetësi. Ai ishte një burrë i mençur, progresist dhe babaxhan. Ishte pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave”, tha në fjalën e tij kryeministri Rama.

Ish-kryetari i parlamentit dhe një nga figurat kryesore në PS Servet Pëllumbi u nda nga jeta dje në 5 maj. Në ceremoninë e lamtumirës gjatë ditës së sotme, ishin të pranishëm ministra dhe deputetë socialistë.

I biri Arben Pëllumbi u shpreh se largimi i ka lënë një boshllëk, por gjithçka ka mbetur pas prej tij do të jetojë përherë.

“Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba, një shtyllë të jetës tënde, një figurë që të ka udhëhequr. Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen.

Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin. Fjala e tij, prania, këshillat do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot jam krenar që jam djali i tij, për familjen që na la dhe vlerat. Ai do të jetojë gjithmonë te ne”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë