Politike

Raporti i PE-së për Shqipërinë, Berisha: Zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i PD Sali Berisha e ka konsideruar raportin e Parlametit Europian për Shqipërinë, si një hije e zezë për kryeministrin Rama.

Sipas tij, në raport thuhet se janë shuar linjat mes institucioneve publike dhe atyre partiake. Për Berishën, kjo do të thotë se zgjedhjet janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet.

“Raporti thekson keqpërdorimin e burimeve administrative, shuarjen e linjave mes institucioneve shtetërore dhe atyre partiake. Kur shuhen linjat mes institucioneve publike dhe atyre partiake nuk ka më zgjedhje. Këto rreshta flasin për mbarë botën. Raporti flet për faktin se në Shqipëri zgjedhjet u mbajtën në kushtet e partisë-shtet. Në raport nënvizohet se ligjet nuk duhet të jenë vetëm të shkruara, por duhet që të zbatohen”, tha ai.

Sipas tij raporti dënon mizogjeninë e Edi Ramës ndaj gazetarëve.

“Termin mizogen për herë të parë, nuk e kisha lexuar ndonjëherë në një raport. Mizogen. E keni këtu dhe i përshëndes dhe i përgëzoj se nuk ka njeri më mizogen se Edi Rama.

Pickon si i tërbuar ministrat para kamerave, si Idi Amin, se ju e keni parë vetë. Tani do të dëgjoni të dalin përfaqësuesit dhe të thonë raport i shkëlqyer, i falenderojmë. Hipokritët, se kudo janë veprat e tyre në këtë raport.

Raport shumë objektiv, një mbështetje reale për qytetarët shqiptarë në rrugën e integrimit”, tha Berisha.

Mandej ai kritikoi edhe ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, duke thënë se gënjeu në Komisionin e Jashtëm. Berisha kërkoi dorëheqjen e Hoxhëspër fyerjet sipas tij ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Foli në Komisionin e Jashtëm me një gjuhë të korruptuar. Nuk është miratuar raporti i IBAR-it. IBAR-i nuk kaloi. Presidenca ndryshoi raportin dhe paraqiti në raportin e ri tërësinë e problematikave të paraqitura nga vendet, që nuk pranonin raportin e parë.

Në raportin e dytë janë shtuar një sërë kërkesash. Kjo është e vërteta. Ministri i Jashtëm duhet të japë dorëheqjen. Është arrogant dhe i pacipë, sepse nuk kërkoi falje për fyerjen që bëri ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë