Nga Gazeta ‘Si’- Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian ka vlerësuar përkushtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se zbatimi i reformave të miratuara mbetet kyç për ecurinë e mëtejshme.
Në një raport të miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, eurodeputetët mirëpresin progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit dhe angazhimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Raportuesi Andreas Schieder u shpreh se Shqipëria është ndër vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas tij, objektivi për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 është realist, por kërkon jo vetëm përmbushjen e kritereve ligjore dhe ekonomike, por edhe ndërtimin e një sistemi social funksional që garanton të drejtat e punëtorëve dhe rolin e sindikatave. Ai theksoi se vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të jetë plotësisht e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Megjithatë, raporti nënvizon se vendi vijon të përballet me sfida të rëndësishme, si tejkalimi i polarizimit politik, përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.
PE thekson se duhen reforma edhe më të thella dhe më të qëndrueshme, të cilat janë thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përmbushjen e kërkesave të BE-së.
Eurodeputetët kërkojnë forcimin e rezultateve konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Gjithashtu, theksohet nevoja për luftë më efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Raporti bën thirrje për përpjekje të mëtejshme në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, si dhe për avancim në reformën e administratës publike, me fokus në rekrutimin mbi bazë merite dhe depolitizimin e shërbimit civil.
Një çështje kyçe konsiderohet edhe nevoja për vijimin e punës në përmirësimin e sistemit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje