Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka kërkuar nga Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, të japë llogari, lidhur me gjuhën fyese dhe denigruese për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në mesazhin e publikuar në platformën sociale, WhatsApp.
Gjatë fjalës së tij në Komision, Këlliçi tha se zotëron prova të plota që vërtetojnë autenticitetin e mesazhit në komunikimin zyrtar, ndërsa kërkoi nga Hoxha, së paku t’u kërkojë falje shqiptarëve në RMV.
Sipas Këlliçit, incidenti është një precedent i rrezikshëm që cenon jo vetëm politikën e jashtme të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje, por përbën edhe një fyerje direkte ndaj komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk kemi të bëjmë me një qëndrim privat, një komunikim privat, por kemi të bëjmë me një komunikim i cili zhvillohet në grupin e komunikimit zyrtar me ambasadorët e vendit tonë në shtete të ndryshme. Ku po e bëj publike dhe njëherë, kam publikuar edhe për mediat, edhe grupin e whatsApp-it, sepse jam detyruar pas përgënjeshtrimit nga Ministria juaj ta bëj publik, ku në grupin e whatsApp-it, ku janë anëtarë ambasadorët tanë në vende të ndryshme, ju keni shkruar një koment në një artikull të postuar nga ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, ku keni thënë, po ata idiotët shqiptarë atje, çfarë thonë?
Tani, nëse ju do të kishit mbajtur një qëndrim etik, është krejt normale, lapsuset mund të ndodhin, gabimet mund të ndodhin, jemi njerëz.
Sigurisht nëse do të kishit dalë në një deklaratë për shtyp do të kishit bërë një ‘mea culpa’, do të kishit pranuar këtë gabim. Mundet të kishe kaluar edhe shumë më lehtë kjo çështje”, tha Këlliçi.
Gjatë debatit, deputeti demokrat, Belind Këlliçi e pyeti ministrin edhe nëse është në konflikt interesi kur raportin për institucionet e drejtësisë, për sa kohë SPAK sipas tij, ka marrë nën hetim një të afërm të tij për çështjen e AKSHI-t.
Hoxha tha se duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë për gjithkënd.
“Nuk ka pse të më pyesni mua për një gjë që nuk jam i përfshirë, as unë dhe as familja ime e afërme. Nuk kam asgjë me familjen e madhe, fisi im është shumë i madh. Edhe në Malësi të Madhe po të shkojmë, do gjejmë që kam gjysmën fis atje. Lincimi publik, fajësimi kolektiv, baltosja përmes biografisë së keqe, kjo shoqëri e ka lënë mbrapa 36 vite më parë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje