Biznes

Bizneset shtuan borxhet gjatë 2025-s. Rritet pesha e huasë ndaj kapitalit

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një anketë të Bankës së Shqipërisë, bizneset në vend kanë deklaruar se gjatë 6-mujorit të dytë 2025, kanë shtuar borxhet. 36% e bizneseve deklarojnë se kanë një hua për të paguar, me një rritje prej 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Anketa tregon se paralelisht raporti hua/kapital është rritur në një nivel të konsiderueshëm, 78%, ku shumica (82%) e ndërmarrjeve raportojnë se huaja është afërsisht sa gjysma e kapitalit. 11% thonë se është pothuaj e njëjtë me kapitalin dhe 7% deklarojnë se e tejkalon atë. Në nivel sektorial, ndërtimi mbetet më i ekspozuari, me 27% të ndërmarrjeve që raportojnë hua të barabartë ose më të madhe se kapitali dhe tregtia me 20%.

Sa i përket barrës financiare, 73% e ndërmarrjeve deklarojnë se pagesa e huasë zë rreth 20% të të ardhurave, ndërsa 23% e tyre raportojnë se kjo peshë shkon në 20% deri në 50%. Tek ndërmarrjet e mesme, rreth 34% deklarojnë se shërbimi i huasë tejkalon 20% të të ardhurave, me një rritje prej 7 pikë përqindje gjatë periudhës.

Për vitin 2026, bizneset presin rritje të shitjeve dhe përmirësim të rezultatit financiar, megjithëse këto pritshmëri janë më të ulëta krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Rreth 39% e ndërmarrjeve deklarojnë se nuk kanë mundësi të marrin kredi në periudhën e ardhshme, por kjo peshë është në rënie. Ndërkohë, është rritur numri i bizneseve që shprehin mundësi për marrjen e kredisë, sidomos te ndërmarrjet e vogla.

Sa i përket kostos së huasë, 88% e ndërmarrjeve nuk presin ndryshim në gjysmën e parë të vitit 2026, 10% presin rritje dhe 2% presin ulje. Megjithatë, pritjet për koston e huasë janë përkeqësuar krahasuar me periudhën e mëparshme, veçanërisht për ndërmarrjet e mesme.

Në përgjithësi, bizneset mbeten optimiste për aktivitetin ekonomik, por po përballen me rritje graduale të ngarkesës financiare dhe varësi më të lartë nga kredia bankare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë