Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme mbrojti editorialin e kryeministrit Rama dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ku propozojnë integrim në BE pa të drejtë votë.
Në fjalën e tij, Hoxha u shpreh se artikulli sipas tij nuk sfidon aspak objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Përkundrazi, sipas tij, ai synon ta bëjë këtë rrugë më të prekshme, më funksionale dhe më të besueshme, si për vendet aspirante, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian.
“Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian është dhe mbetet i panegociueshëm. Ai nuk është një opsion, por objektivi ynë strategjik kombëtar. Në artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim, as për relativizimin e tij, e aq më pak për zëvendësimin e rrugës që po ndjekim.
Aty propozohej një rrugë e përshpejtuar dhe më fleksibël, që lejon afrimin gradual me strukturat kryesore të Bashkimit Europian, para anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike, të tregut të brendshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që vendi ndjek procesin normal klasik të anëtarësimit në BE. Kjo është e artikuluar qartë në tekst”, tha Hoxha.
Duke iu referuar kritikave se ky artikull është në dëm të Kosovës, ai tha se Shqipëria është plotësisht krah kësaj të fundit dhe nuk ndryshon asgjë kundrejt Serbisë.
“Vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella dhe ne e dimë çfarë dallimesh ka Shqipëria me Serbinë, në mënyrë të veçantë për Kosovën ku pozicionet tona janë diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme deri më sot, por kjo tregon që vendet edhe në situata të tilla janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe integrimi europian është nga ato interesa madhore që kërkon dialog dhe pragmatizëm.
Asgjë në atë artikull dhe asnjë aspekt i marrëdhënies së Shqipërisë me Serbinë nuk zbeh në asnjë mënyrë qëllimet e qarta dhe të palëkundura të Shqipërisë për Kosovën apo çështje të tjera rajonale ku kemi qëndrime të ndryshme”, tha Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje