Politike

Apartamenti i Dumanit dhe dëshmia e Irena Gjokës, Berisha sulmon nga SPAK drejtësinë

Gazeta Si – Sali Berisha i është rikthyer sulmeve ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, një nga prokurorët e dosjes “Partizani” dhe gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, ku ish-kryeministri është i pandehur.

Pasi ka zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, kreu demokrat,  ngriti akuza sa i takon procesit të Vettingut të kaluar prej Dumanit, duke hedhur dyshime mbi saktësinë në raportimin për pasurinë e tij.

Sipas kreu të PD, Dumani bleu apartament në zonë elitare me 390 euro metrin. Ndërkohë që komisioni e vlerësoi se çmimi ishte nën nivelin e kostos së ndërtimit.

Lideri demokrat, nxori para gazetarëve një dokument, ku sipas tij në faqen 7 thuhet se Dumani “ka bërë kontratë porosie në vitin 2006 me A.P-në, djalin e xhaxhait të gruas, për apartament (dhe zyrë) me 390 €/m². Por një faqe më pas (faqe 8), po e Vettingut, shkruan se në apartamentin që nuk ekzistonte në vitin 2006, ka filluar të banojë që nga 2004 dhe me 390 €/m². Më pas, Dumani i vuri bodigardin personal si polici private A.P., kur ky hiqte ata që ua kishte shitur disa herë apartamentin”.

Berisha shtoi se apartamenti ndodhet “në një nga zonat më elitare të Tiranës, nga Liqeni a Kodra e Diellit atje”.

Por Berisha tha se detajet mbi apartamentin në fjalë do t’i tregonte një herë tjetër, pasi sot kishte një çështje tjetër më të rëndësishme për të diskutuar, që sipas tij meriton të futet në librin e rekordeve Guinees.

Kjo, për gjyqtaren Irena Gjoka, dëshmia e së cilës sipas tij nuk ka firmën e hetuesve.

“Irena me 5 mbiemra, Altin Troplini i hapi, për ta mbrojtur, dosje hetimore. E paditur, hapi dosjen. Dosjen e hapi pa emër. Dhe, Irena thirret për dëshmitare. Pra, keni parë ju, dosje penale pa të akuzuar, mbajeni mend këtë, dosje penale pa të akuzuar. Kjo është forma më e poshtër e njerëzve të antiligjit. A mund të imagjinoni ju që dëshmia e Irenës në dy faqe e gjysëm, ka vetëm firmën e Irenës dhe administrohet në dosje gjyqësore pa firmën e hetuesit. Ja ku e keni! Ky është hetimi që ka bërë Altin Troplini për Irena Dumanin. Tani, që një procesverbal, një dëshmi, do u përgjigjet pyetjeve, ai që është thirrur, pa diskutim. Por që hetuesit, Toni Gramo dhe Elton Kërluku, nuk e kanë firmosur. Është për Guiness, miq. Dosje gjyqësore e dërguar në gjykatë. Pse nuk e kanë firmosur? Nuk kanë dashur të firmosin mashtrimet e Irenës me 5 mbiemra”, – tha Berisha, i cili shtoi më tej se ky ishte një rast unik në planet.

Në dëshminë e saj, gjyqtarja e GJKKO-së thotë se në vitet 2002 dhe 2003 iu refuzua pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë.

Gjoka ka qenë gjyqtarja e hetimit paraprak në dosjen “Partizani”, ndërsa Berisha pretendoi se procesverbali i dëshmisë së Gjokës i ka kaluar gjykatës pa u firmosur nga dy hetuesit që e kanë marrë gjyqtaren në pyetje.

Berisha akuzohet se në cilësinë e kryeministrit të kohës, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportive Partizani.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë