Gazeta Si – Nikoll Radaçi, shoferi i automjetit që përplasi 2 fëmijë për vdekje dhe plagosi një tjetër në Durrës, ka qenë i dehur në momentin e aksidentit.
Përveç kësaj, atij i ishte pezulluar patenta dy herë në vitin 2022 dhe ishte gjobitur për tejklalim të shpejtësisë.
Policia ka dalë sot me një njoftim më të zgjeruar lidhur me aksidentin tragjik në lagjen nr.15, ku konfirmon zyrtarisht se 57-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur, duke dalë nga rruga dhe përplasur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën E.M., 12 vjeç dhe K.N., 10 vjeç. Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Policia sqaron edhe se Radaçi rezulton si shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksonuar edhe më parë për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.
Po sipas policisë, drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është kapur nga patrulla e policisë.
“Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur”, – njofton policia.
Lidhur me ngjarjen e djeshme, ndaj shoferit janë ngritur akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje