Politike

Politika reagon pas tragjedisë në Durrës. Braçe kërkon ndryshim të Kodit Penal: Ishte vrasje me dashje

Gazeta Si – Pak pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy të miturve në Durrës dhe u plagos një i tretë, politika shqiptare ka reaguar njëzëri.

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet jashtë vendit për një vizitë zyrtare, përmes një postimi në rrjetin social “X”, i shpreh ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, ndërsa shprehet se po lutet për shëndetin e fëmijës në spital.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”, shkruan Rama.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i pari që reagoi duke thënë se ngjarja e sotme nuk ishte thjesht një aksident rrugor, por e krahasoi me një akt terrorist.

“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist!”, shkruan Balla në një postim në rrjetet sociale, që e shoqëron me një foto nga vendi i ngjarjes, ku shihet edhe topi me të cilin kishin qenë duke luajtur të miturit përpara përplasjes fatale.

Më i ashpër në reagim ka qenë deputeti socialist, Erion Braçe, i cili kërkon ndryshim të Kodit Penal.

Për socialistin kjo ngjarje “është vrasje me dashje dhe jo aksident”. Ai shton se ngjarje të tilla duhet të trajtohen ligjërisht si vrasje me dashje, duke kërkuar dënime më të rënda për drejtuesit e automjeteve që shkaktojnë tragjedi të tilla.

Braçe i bën thirrje Parlamentit për ndryshime të menjëhershme në Kodin Rrugor dhe atë Penal, duke nënvizuar se vetëm përmes ndëshkimeve të forta raste të tilla mund të ndalen.

Ai kërkon gjithashtu masa konkrete për sigurinë në zonat e banuara, nga kufizimi real i shpejtësisë, deri te krijimi i hapësirave të sigurta për fëmijët. “Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani!”, thotë ai.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj. “I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital. Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”, shkruan presidenti Begaj.

Nga radhët e opozitës ka reaguar deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila është njëkohësisht kryetare e Komisionit të Medias dhe Drejtave të Njeriut.

Në reagimin e saj, Tabaku thekson se, përtej tragjedisë, është edhe më shqetësuese mënyra se si disa media kanë transmetuar pamje të rënda nga vendi i ngjarjes.

“Tragjedia në Durrës, me humbjen e dy jetëve të dy fëmijëve të pafajshëm, ka tronditur të gjithë. Edhe më mizor është transmetimi pa filtër i pamjeve të aksidentit që u mori jetën. Dhimbja nuk mund të kthehet në spektakël,” shprehet Tabaku.

Ajo i bën thirrje Autoriteti i Mediave Audiovizive që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar transmetimin e pamjeve të tilla dhe për të garantuar respektimin e standardeve etike në raportimin mediatik.

Sipas saj, informimi i publikut është një detyrim, por nuk mund të bëhet në kurriz të dinjitetit njerëzor dhe dhimbjes së familjarëve.

“Informimi është detyrim, por dinjiteti njerëzor është kufiri që nuk duhet kaluar,” përfundon reagimi i saj.

Rreth orës 14:20, 4 fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi përplasi tre prej tyre, ndërsa i katërti i shpëtoi mrekullisht aksidentit.

Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë