Nga Gazeta ‘Si’– Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Vendimi i Haxhiut i marrë këtë të enjte, më 30 prill, vjen pak pasi ajo zhvilloi një takim me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se “shumica u pajtuam” që zgjedhjet e reja të mbahen më 7 qershor.
Ata duhej të zgjidhnin mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit, për zgjedhjet e treta parlamentare brenda rreth një viti e gjysmë.
Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.
“Po, sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme”, tha ai.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.
“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.
Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.
“Edhe ne jemi pajtuar, edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershor”, tha ai.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.
Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor.
Pas takimit të sotëm, Haxhiu pritet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë./ Marrë nga REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje