Ekonomi

Malaj: Bastet, dy aktet e fundit po dakordësohen me Drejtësinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë një konference me gazetarët ditën e sotme, Malaj shpjegoi se këto akte nënligjore do të bashkërendohen dhe dakordësohen me Ministrinë e Drejtësisë, e më tej do të publikohen, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë.

“Për sa i përket basteve sportive online, kanë mbetur edhe dy akte nënligjore që ne po i bashkërendojmë dhe dakordësojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe, sapo të përfundojë, do t’i publikojmë ato, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë për të ofruar në mënyrë të ligjshme pjesën e basteve online”, tha Malaj.

Ministri foli edhe për “Paqen Fiskale”, e cila ka mbetur pezull për shkak të disa akteve nënligjore.

“Sa i përket akteve nënligjore për fshirjen e detyrimeve doganore dhe tatimore dhe paqes fiskale, do të hyjnë në fuqi brenda këtij muaji. Dhe nëse do të ketë apo jo zgjatje të afateve, do të vlerësohet, sepse mund të ndodhë brenda muajit maj, në gjysmën e parë apo të dytë. Në varësi se si do të ecim me miratimin e këtyre udhëzimeve dhe akteve nënligjore, do të vendosim nëse do të ketë shtyrje apo jo. Nëse do të ketë shtyrje, do të bëjmë ndërhyrje ligjore, sepse afatet janë të përcaktuara me ligj”, theksoi ministri i Financave.

Më tej, ministri tha se 3 muajt e parë të vitit kanë qenë pozitive për sa i përket të ardhurave tatimore, ku janë mbledhur rreth 110 milionë euro më shumë sesa ishte parashikuar.

Ai u ndal dhe tek Deklarata individuale e të ardhurave (DIVA), duke treguar se  janë dorëzuar 164.263 deklarata, ose 25% më shumë se në vitin 2025.77.077 prej tyre janë përfitues nga skema për fëmijët nën 18 vjeç.

“1.4 miliard lekë është shuma totale e gjeneruar nga sistemi për rimbursim për individët me tepricë kreditore. Vetëm 670.2 milionë lekë janë kërkuar deri tani për t’u tërhequr si rimbursim monetar”, sqaroi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë