Kosova

Kurti: Opozita bllokon Presidentin, Kosova do humbiste 10 milionë euro për këto zgjedhje

Gazeta Si – Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka akuzuar partitë opozitare se me mospjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri po tregojnë se nuk kanë qëllim tjetër përveç bllokimit.

Në një konferencë për mediat këtë të martë, më 28 prill e Kurtit, dita e fundit të caktuar si afat nga Gjykata Kushtetuese, Kurti shpjegoi se Kosova do të humbiste më shumë se 10 milionë euro për përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor.

“Me bindjen se nuk i duhen bllokadat, me besimin e plotë që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, meqë kemi mbajtur mjaftueshëm dhe rezultati ka qenë i qartë, ndërkohë që vendit do ia humbnim mbi 10 milionë euro për zgjedhje, pa përmendur miliona të tjera nëse nuk kemi Kuvend funksional dhe duke pasur parasysh rrethanat globale, i kemi bërë të gjitha për të mos shkuar në zgjedhje”.

Sipas Kurtit, “është bërë e qartë se opozita nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit. Është e interesuar për bllokimin e qeverisjes sonë. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë, nuk mund të quhet ndryshe, pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor, të shprehur qartë më 28 dhjetor, si asnjëherë më parë. Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër, për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, u mobilizuan të gjithë, përfshirë Listën Serbe, kurse për president as nuk po vijnë në sallë”, u shpreh kryeministri Kurti

Kurti ka thënë se janë bërë disa përpjekje për dialog me partitë opozitare dhe janë propozuar edhe emra për president, por nuk ka pasur përgjigje konkrete apo marrëveshje.

Sipas Kurtit, Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, prandaj u arsyetua se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, por PDK dhe LDK kanë refuzuar.

“Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura dhe të panevojshme”, tha kryeministri.

Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë