Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e PS Elisa Spiropali i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama me një tjetër reagim në rrjete sociale.
Në mbledhjen e djeshme, Rama e paralajmëroi për përjashtim nga grupi i PS në rast se do të bënte një tjetër status kritikues online. Madje Rama nuk e la Spiropalin as të replikonte.
Në postimin e saj, ajo shkruan se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste por modelin që sipas saj po e dëmton këtë parti në disa aspekte.
Sipas saj, pushteti nuk dobësohet nga kritika por kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.
Ajo i ka kërkuar vetë Ramës ta përjashtojë, pasi sipas saj, nuk ka pse të qëndrojë më në një parti ku duhet të konformohesh dhe të heshtësh për shkak të frikës.
“Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.
Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas. Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.
Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto. Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si shoë mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.
Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste. Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik”, shkruan Spiropali.
Ajo shprehet se mospajtimi nuk është shkelje, por pjesë normale e politikës dhe madje sipas saj një formë besnikërie ndaj parimeve.
Sipas saj, kur në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat.
Ajo shkruan se nuk po mbron asnjë pozicion dhe asnjë kolltuk. Më pas, ajo përmend drejtpërdrejt mungesën e saj në seancën në Kuvend, ku socialistët rrëzuan me votat e tyre kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin e deputetes Belinda Ballukut.
Spiropali thekson se refuzoi që të ishte pjesë e një “automatizmi votash” në parlament, por kjo nuk mund të interpretohet si largim nga grupi.
“Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë. Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat.
Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.
Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto.
Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër tësaj.
Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?
Këto nuk janë pyetje për fatin tim, të cilin e bëj vetë pa ndihmën e askujt. Janë pyetje për mënyrën si qeveriset. Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës.
Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi. Heshtja politike ka qenë gjithmonë paralajmërim i së keqes.
Jo rrallë, nuk tremb forca reale e kundërshtarit. Tremb jehona që i bëhet frikës.
Shumë struktura kontrolli mbahen jo aq nga forca e tyre, sa nga përfytyrimi i rrejshëm që të tjerët kanë për forcën e tyre, për mekanizma që mbijetojnë nga frika që prodhojnë. Nëse nuk dakordësohemi as për kaq, më përjashto.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje