Politike

Berisha: Dënojmë trajtimin çnjerëzor të Metës! Akt i urdhëruar nga Rama

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi në lidhje me shfaqjen në publik të Ilir Metës në kafazin prej xhami të gjykatës, që prej arrestimit të tij.

Berisha denoncoi, atë që e quan ‘trajtim çnjerëzor të Ilir Metës’, ndërsa theksoi se kjo sipas tij është një hakmarrje primitive e Edi Ramës.

Po ashtu, Berisha tha se sipas tij ndaj Ilir Metës është ushtruar jo vetëm dhunë psikologjike, por edhe dhunë fizike dhe provokacione nga më të ulëtat.

Sipas tij, vendosja e Metës në një “kafaz xhami” gjatë seancës dhe mënyra e ndjekjes së procesit përbëjnë, sipas opozitës, shkelje të të drejtave themelore dhe një praktikë që i ngjan metodave të së shkuarës politike në vend.

“Ilir Meta u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për ndonjë vepër penale. Ky akt çnjerëzor brutal i urdhëruar nga Rama riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike stalisnite të Enver Hoxhës.

Ndaj Ilir Metës është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe të rrezikshme, janë dhunuar të drejtat kushtetuese elementare”, tha Berisha.

Berisha tha se PD dënon arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara sipas tij direkt nga Edi Rama.

Berisha kërkoi gjithashtu ndërhyrje ndërkombëtare, duke e konsideruar çështjen si problem të trajtimit të opozitës dhe të standardeve të drejtësisë në vend.

“PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë