Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo foli për reformën territoriale, për të cilën tha se duhet të dëgjohen sa më shumë palë.
Për gazetarët, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Demo u shpreh se bashkitë, qarqet, por dhe qytetarët duhet të japin qëndrimet e tyre për reformën.
Demo u pyet edhe për dëgjesën që u bë në qytetin e Lezhës nga Komisioni i Reformës dy ditë më parë. Pyetja lidhej me vërejtjet e kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu, që ngriti disa problematika, duke konstatuar se; “Bashkitë po kthehen në xhepa të qeverisë”, nëpërmjet zvogëlimit të kompetencave.
‘Ka shumë çështje nga ato që ka ngritur edhe kryebashkiaku i Lezhës, e që lidhen me funksionet e bashkive. Duhet të shkojë përtej debatit për numrin e bashkive, por rëndësi ka funksionimi i tyre. Kuptohet se qeveria qendrore nuk do bjerë dakord me bashkitë dhe kjo është një gjë normale që ndodh në të gjitha vendet e botës.
Nëse i marrim reformat me radhë, ajo e ujësjellësave apo e menaxhimit të territorit, patjetër ka qëndrime të ndryshme. E rëndësishme është që ne të garantojmë që bashkitë të garantojnë me ato çfarë kanë kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji apo ato që do sjelli nesër reforma, që bashkitë të jenë më të forta në funksion dhe shërbimin në territor. Nuk presim që të bien dakord në pushtetin vendor, ka qëndrime të ndryshme, unë kam qenë vetë kryetar bashkie”, tha Demo mes të tjerash në përgjigjen e tij.
Dhe më tej shtoi se me rëndësi kishte funksioni i bashkive dhe jo numri i tyre:
“Funksionet e bashkive janë shumë të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë, duhet të shkojë më tej debati numri i bashkive më shumë apo më pak. Në fakt duhet fokusuar te ato se cilat janë funksionet e bashkive”.
Më tej ministri u shpreh se qeveria ka interes që bashkitë të kenë kompetenca dhe garanci ligjore për të qenë më të forta dhe më funksionale.
Ai dha edhe një afat se kur mbyllen këto dëgjesa në rrethe me pushtetin vendor, qytetarët dhe faktorë të tjerë.
“Unë besoj se në javët që kemi përpara dhe në mos gaboj agjenda që ka tashmë të miratuar Komisioni, deri në fund të majit përmbyllet turi në të gjitha qarqet e vendit dhe patjetër që ne do dëgjojmë shumë qytetarë të tjerë dhe jo vetëm dhe aktorë të tjerë në territor, që mund të kenë qëndrime të ndryshme përsa i përket reformës së fundit por edhe përsa i përket elementëve të cilët duhen parë dhe marrë në konsideratë gjatë procesit në Komisionin e Posaçëm”, përfundoi Demo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje