Politike

Ministrja Sala hedh poshtë pretendimet e opozitës: S’mungon asnjë ilaç në QSUT

Nga Gazeta Si- Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala është përballur në interpelancë me 3 deputetë të opozitës për Onkologjikun dhe shërbimet spitalore në vend. Opozita hodhi akuza për mungesë barnash tek Onkologjiku, por ministrja e shëndetësisë tha se sot në QSUT nuk mungon asnjë ilaç ndërkohë që përsëriti deklaratën se po vijon puna për të sjellë Brankiterapinë dhe PET CT.

“po punojmë që ky shërbim të pasurohet së shpejti edhe me brakiterapinë. Në lidhje me PET CT, sikurse kam sqaruar edhe gjatë fazës së miratimit të buxhetit 2026, jemi duke punuar ngushtësisht me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike jo vetëm për blerjen e pajisjes, por për krijimin e një shërbimi”, tha Sala, në një deklaratë që është thënë edhe më parë.

Gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, deputetja e opozitës Erisa Xhixho ngriti shqetësime për kapacitetet e kufizuara në spitalin Onkologjik dhe numrin e pamjaftueshëm të akseleratorëve për radioterapi.

“Në Onkologjik trajtohen çdo ditë deri në 120 pacientë me kimioterapi. Për këta pacientë ka vetëm 30 poltrone, ndërsa 90 të tjerë presin me orë të tëra ose detyrohen të marrin trajtimin në karrige. Këto 30 poltrone nuk janë siguruar nga shteti, por nga një donator që ka dhënë 75 mijë euro. A nuk ka ky shtet 75 mijë euro për të siguruar edhe 30 poltrone të tjera, kur një shtet si Kosova ka 100 të tilla? Prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, duke prekur rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ju thoni se do të vihet në punë brenda vitit 2026, por këta pacientë duhet të presin”, thotë Xhixho,, duke shtuar se e njëjta situatë është edhe me PET Scan-in.

Ndërsa deputeti demokrat Bardh Spahia ngriti shqetësimin lidhur me ndërprerjen e shërbimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji nga ana e koncesionarit.

“Pas datës 20 të çdo muaji, nuk ofrohet asnjë analizë laboratorike përmes koncesionit të laboratorëve pasi mungojnë fondet”, tha Spahia, ndërkohë që ministrja Sala iu përgjigj duke thënë se nuk ndërpritet shërbimi, por disa analiza rutinë mund të shtyhen për t’u dhënë prioritet analizave më urgjente.

Deputeti demokrat Kliti Hoti theksoi mungesën e barnave, detyrimin për t’u trajtuar jashtë vendit dhe mungesën e një regjistri onkologjik, që sipas tij pengon hartimin e politikave efektive në shëndetësi.

“Ende s’ka regjistër të sëmundjeve onkologjike, pa këtë institucionet nuk dimë sa raste kemi, si trajtohen dhe çfarë politikash duhen e u ndjek. Një qendër nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit. Në spital mungojnë ilaçet”, tha Hoti, i cili u kundërshtua nga ministrja Sala e cila pohoi se në QSUT nuk mungon asnjë ilaç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë