Nga Gazeta ‘Si’– Qeveria shqiptare ka dorëzuar në Kuvend raportin më të fundit për ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ku theksohet një ritëm përshpejtuar i reformave dhe një objektiv i qartë për anëtarësim deri në vitin 2030.
Sipas raportit, Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt negociues brenda vetëm 13 muajve, një ritëm që cilësohet si ndër më të shpejtët në historinë e zgjerimit të BE-së.
Procesi, sipas dokumentit, ka kaluar nga faza përgatitore në një fazë intensi negociuese, ku fokusi është zhvendosur drejt rezultateve konkrete dhe përmbushjes s kushteve të mbylljes.
Në qendër të progresit të raportuar qëndron fusha e shtetit të së drejtës. Qeveria pretendon se janë përmbushur kushtet ndërmjetme në kapitujt kyç të negociatave, ndërsa theksohen reforma në sistemin e drejtësisë, rritje e transparencës dhe ulje e numrit të çështjeve të mbartura në gjykata.
Sipas të dhënave të përfshira, janë miratuar rreth 75 akte ligjore dhe rregullatore që lidhen me këtë proces.
Një tjetër pikë e rëndësishme e raportit është lufta kundër korrupsionit. Dokumenti vlerëson se hetimet dhe vendimet gjyqësore në këtë drejtim janë shtuar, si në rastet e korrupsionit ashtu edhe në krimin e organizuar. Strategjitë antikorrupsion, sipas raportit, kanë një nivel zbatimi mbi 80%, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve është përmirësuar.
Raporti ndalet edhe te të drejtat themelore, ku përmenden ligje të reja për barazinë gjinore, mbrojtjen nga diskriminimi dhe mbrojtjen e gazetarëve. Gjithashtu evidentohet përmirësim në mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe në të drejtat e fëmijëve dhe pakicave.
Një nga shtyllat kryesore të reformës, sipas dokumentit, mbetet digjitalizimi.
Administrata publike dhe sistemi i drejtësisë po kalojnë në procese të digjitalizuara, përfshirë sistemet e menaxhimit të çështjeve dhe kadastrën, që sipas raportit ka arritur deri në 80% digjitalizim. Qeveria pretendon se kjo ka rritur efikasitetin dhe transparencën, duke ulur hapësirat për korrupsion.
Në sektorin e pronës, raporti përmend rritje të procesit të legalizimeve dhe kompensimeve, si pjesë e reformës së pronësisë, një nga çështjet më të ndjeshme në vend.
Megjithatë, dokumenti nuk shmang edhe sfidat. Ai pranon se disa rekomandime ndërkombëtare, përfshirë ato të GRECO, mbeten të papërmbushura, ndërsa theksohet nevoja për forcim të mëtejshëm të institucioneve.
Në perspektivën afatmesme, raporti vendos theksin te vitet 2026-2028 si një fazë vendimtare për përmbushjen e kushteve përmbyllëse të negociatave, me synimin që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Në tërësi, dokumenti paraqet një narrativë optimiste për procesin e integrimit, duke e cilësuar atë jo vetëm si një projekt politik, por si një transformim të thellë institucional, ekonomik dhe shoqëror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje