Nga Gazeta Si- Nëse subjektet ushqimore nuk plotësojnë standardet, do të mbyllen. Kështu ka thënë kryeministri Edi Rama në një takim për sigurinë ushqimore.
“Së shpejti do kemi një binjakëzim të institucioneve tona me ato të BE-së për cilësinë e produkteve. Ajo që pret sipërmarrjen është një thikë me dy presa. Nga njëra anë do jetë horizont i ri mundësish dhe nga ana tjetër humnerë falimentimi, për ata që nuk janë të përgatitur. 900 subjekte do kontrollohen tërësisht dhe nëse nuk plotësojnë standardet ushqimore, do mbyllen”, tha Rama, duke shtuar se askujt nuk duhet që t’i shkojë ndërmend, që me sigurinë ushqimore, mund të manipulojë, aq më keq Bashkimin Europian.
Ai tha se siguria ushqimore është sfida më e vështirë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Siguria ushqimore nuk mund të negociohet. Na duhen laboratorët, për të pasur produkte cilësore dhe kjo është rrugë që nuk shmanget dot. Duhet luftuar informaliteti në zinxhirin ushqimor”, tha Rama, i cili përmendi si problem thertoret ku sipas tij, jemi larg nivelit për të marrë një certifikatë për tregun europian.
“Nuk është më çështja që stë lënë ta çosh më në Itali, çështja është se s’do të lënë ta shesësh më në Shqipëri”, tha Rama.
Ai tha gjithashtu se për thertoret problemi më i tmerrshëm është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum.
“Asnjë thertore sot, edhe ato që janë shumë të mira nga mënyra sesi funksionojnë, nuk e kanë këtë proces. Nëse nuk ekziston, thertorja nuk mbijeton në tregun e BE”.
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka thotë se anëtarësimi në BE kërkon që Shqipëria të arrijë të gjitha standardet e sigurisë ushqimore. Standardet do të jenë si për produktet e eksportit, ashtu edhe të importit.
Kërkesa konkrete e BE është që të hartohet një program kombëtar për të përmirësuar stabilimentet bujqësore.
AKU do të kryejë fazën e parë të programit, skanimin e 900 stabilimenteve në të gjitha qarqet, sidomos të mishit, peshkut, vezëve, qumështit dhe nënprodukteve.
“Kemi një kërkesë specifike nga BE në negociata: hartimi i një programi kombëtar për përmirësimin e stabilimenteve bujqësore. Fokusi janë ruajtja, transporti, përpunimi dhe tregtimi brenda e jashtë vendit”, thotë Dhuka, duke shtuar se procesi i skanimit ka nisur dhe po kryhet nga AKU në të gjitha qarqet.
Ndërkohë ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se në vendin tonë do të ketë laboratorë, që do të jenë tepër të saktë dhe do të mund të dallohen qartësisht produktet që janë me standardin e duhur për konsum.
“Ecuria e Shqipërisë varet nga përparimet dhe hapat e radhës janë vendimtare”, tha Gonzato.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Blerina Gjylameti tha se asnjë produkt që rrezikon shëndetin e qytetarëve nuk do të jetë pjesë e tregut.
“Respektimi i kërkesave është i detyrueshëm për të gjithë dhe pa diferencime”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje