Irena Beqiraj
Bashkëveprimi kolektiv, shqiptarët racionalë edhe mungesa e elitës intelektuale!
Një komb mund të dëshirojë rrëzimin e një diktatori, por jo mjaftueshëm njerëz janë të gatshëm të organizohen kundër autokracisë.
Një lagje kërkon rrugë më të sigurta, por askush nuk paraqitet kur duhet të mblidhen e të vendosin për të.. Një komunitet profesional kërkon standarde më të larta, por secili pret që dikush tjetër t’i artikulojë ato. Edhe grevat më të mirëmenduara shpesh dështojnë, sepse njerëzit dorëzohen shpejt, duke i bërë të tjerët të ndiejnë se përpjekja e tyre ishte e kotë.
Kjo zakonisht lexohet si dështim moral. Në të vërtetë, më shpesh është një dështim strukturor.
Në ekonominë politike, hendeku mes interesit kolektiv dhe gatishmërisë individuale për të vepruar është thelbësor për të kuptuar pse grupet dështojnë të organizohen. Veprimi kolektiv prodhon të mira të përbashkëta, jo përjashtuese, pra përfitime që nuk kufizohen vetëm te kontribuuesit.
Përballë kësaj, individi racional arsyeton: nëse kontribuoj, përfitojnë edhe të tjerët; nëse nuk kontribuoj, mund të përfitoj sërish. Prandaj, më mirë të përmbahem. Kur kjo logjikë përhapet, veprimi kolektiv paralizohet. Racionaliteti individual prodhon dështim publik.
Shoqëria shqiptare duket, në këtë kuptim, si një bashkësi individësh racionalë, dhe pikërisht për këtë arsye prodhon kaq shpesh rezultate irracionale. Edhe kur “racionaliteti” shndërrohet në justifikim për mosveprim, shoqëria ngec në një cikël të pafund diagnostikimi, pa asnjë përmirësim real.
Ndërkohë që veprimi kolektiv nuk lind thjesht nga vullneti i mirë; ai kërkon mekanizma të ndërtuar me kujdes.
Teksa flet më një mjek, profesor, inxhinier brenda apo jashtë Shqipërisë është e dukshme që në Shqipëri, bashkëveprimi kolektiv gabimisht shihet si detyrë funksinale e partive politike.
Në optikën e shqiptarit "racional" është detyrë vetëm e aktivistët politik sipërmarrja, e organizimit kolektiv. Në realitet, mekanizmat më të qëndrueshëm të bashkëveprimit ndërtohen nga elita intelektuale, jo domosdoshmërisht brenda politikës.
Siç shprehet Antonio Gramshi; “Të gjithë njerëzit janë intelektualë, por jo të gjithë kanë funksionin e intelektualit në shoqëri.”
Kjo nuk është një tezë elitiste, por një thirrje politike. Intelektuali nuk është thjesht interpretues i botës; ai është formësues i kuptimit, drejtimit dhe koherencës shoqërore. Roli i tij është të ndërtojë vetëdije, të sfidojë narrativat dominuese dhe të ndihmojë shoqërinë të kuptojë veten, duke u bërë kështu katalizator i bashkëveprimit kolektiv transformues.
Në kontekstin shqiptar, ky lloj intelektuali është i rrallë. Ajo që haset më shpesh është figura e “intelektualit tradicional”, reaktiv dhe jo parashikues, i pranishëm në reagim ndaj krizave, por jo në parandalimin e tyre.
Me fjalë të tjera, mungon një elitë intelektuale publike: një shtresë që sfidon pushtetin, që vë në dyshim supozimet e trashëguara dhe i ofron shoqërisë mënyra të reja për të parë veten, pa rënë në përsëritje historike. Mungojnë intelektualët që mendojnë seriozisht në publik dhe për publikun.
Kjo mungesë duhet të na shqetësojë, por jo të na habisë.
Fundja ajo pasqyron vlerat që vetë shoqëria kultivon dhe shpërblen. Kur përparësi marrin qëllimet afatshkurtra mbi përgjegjësinë afatgjatë, kur suksesi reduktohet në materializëm dhe status kur nocionet e detyrës dhe sakrificës relativizohen, krijohet terreni ideal për dominimin e racionalitetit oportunist, dhe, bashkë me të, të elitave intelektuale të dobëta.
Në këtë realitet, asnjë politikan “i urryer” i vjetër apo i ri nuk është devijim; ai është rezultat.
Kur qytetari mesatar kërkon rehati pa përgjegjësi dhe siguri pa angazhim, dallimi mes tij dhe përfaqësuesit politik është vetëm çështje e nivelit "të suksesit" brenda të njëjtin sistemi sjelljeje.
Të fajësosh pa pranuar bashkëfajësinë kulturore është e lehtë, por e pafrytshme.
Ndryshimi real kërkon diçka më të thellë: rindërtimin e një sistemi vlerash të orientuar drejt së përbashkëtës. Pa një masë kritike që refuzon hiper- individualizmin sipërfaqësor dhe rikthen në qendër detyrën, përgjegjësinë dhe qëllimin e përbashkët, pushteti si do që ta këtë emrin, do të vazhdojë të pasqyrojë në një formë të zmadhuar atë që ne jemi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje