Gazeta Si – Sali Berisha këmbëngul për një përballje me kryeministrin Rama, si për një debat televiziv, ashtu edhe në gjykatë, pasi ky i fundit është thirrur si dëshmitar në GJKKO në dosjen “Partizani”, ku kryedemokrati është i pandehur.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha deklaroi se ajo do të jetë përballja e shekullit, ndërsa tha se “paraqitja në gjykatë si dëshmitar është e detyrueshme”.
Berisha e sfidoi kryeministrin, duke i thënë se “nëse nuk ia mban të përballet në gjykatë, të zgjedhë një studio televizive”, ku të mund të ballafaqohen.
“A do ballafaqohet ai me mua? Nuk ka ku të shkojë. Paraqitja në gjykatë si dëshmitar është e detyrueshme. Shih kodin. Ai do përpiqet, që tani ka krijuar një këshill si ta kapërcejë këtë, por nuk e kapërcen dot. Por ajo do jetë përballja e shekullit. Do t’i tregoj shqiptarëve të gjithë korrupsionin e Edi Ramës dhe çfarë qenie të lige përfaqëson ky njeri. I them bëhu burrë dhe hajde në gjykatë, ose nëse nuk ta mban, zgjidh një studio televizive jam gati në debat, dhe atëherë të konsideroj tërheqjen e kërkesës për dëshmitar, përndryshe jo, do vijë dëshmitar në sallën e gjyqit, vjen si delikuent, vjen si i dënuar”, tha Berisha.
Për socialistin Taulant Balla, ai tha se “është autori i trillimit të çështjes ‘Partizani’”, ndërsa shtoi se nëse gjykata ose avokati i kërkon të marrë pjesë në gjyq, ai do e zbatojë.
Berisha paralajmëroi kallëzim edhe ndaj ish-kreut të Strukturës së Posaçme, Altin Dumani. “Ka ndryshuar sipas qejfit, veprat penale të Irena Gjokës”.
Sa i takon protestës së fundit të opozitës, kreu i PD theksoi se “kriminelët me uniformë përdorën mjetet më të ndaluara dhe antiligjore ndaj protestuesve guximtarë. Ne do t’i padisim sepse kanë përdorur verbuesin e ariut dhe tani del se ajo lëndë që përdoret aty, përdoret edhe ndaj njerëzve, por me përqendrim 10-fish. Te njerëzit mund të shkaktojë ndalim total të frymëmarrjes ose të zemrës. Ka patur edhe okside metalesh shumë të rrezikshme”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje