Politike

Administrativja shfuqizoi përjashtimin e 6 deputetëve të PD-së/ Balla: Lajthitje e gjykatës!

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Administrative rrëzoi përjashtimet e parlamentit për 6 deputetë të opozitës të cilët më 18 dhjetor, ndezën flakadanë brenda sallës dhe me dhunë bllokuan seancën parlamentare.

Komisioni disiplinori mori masa përjashtimi nga 30 ditë për deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka, por ndonëse këto dënime tashmë janë shlyer, 4 muaj më pas Gjykata  Administrative merr vendimin se janë të pavlefshme.

Nga opozita është konsideruar fitore, kurse për mazhorancën socialiste, vendimi është një tjetër lajthitje e drejtësisë ndaj një tjetër pushteti.

“Ndoshta gjyqtari apo gjyqtarja nuk e di se Gjykata e Lartë e Republikës sonë e ka konsoliduar praktikën në një rast të mëparshëm duke sanksionuar mos kalimin gardhin e gjyqësorit tek fusha e legjislativit për këto masat disiplinore.Dihet botërisht se gjykatat nuk kanë juridiksion të gjykojnë këto lloj masash disiplinore, sepse këto janë akte të parlamentit dhe nuk mund t’i nënshtrohen vlerësimit nga pushteti gjyqësor”, shkruan kreu i grupit te PS Taulant Balla.

Balla thotë se për përjashtimet, shprehet dhe vendos vetë kuvendi, pasi Shqipëria nuk ka ligj të posaçëm për t’ja dhënë këtë kompetencë gjykatave.

“Përveç se në rastin kur vetë ligji i posaçëm për statusin e deputetit apo Rregullorja e Kuvendit do ta parashikonte shprehimisht këtë mundësi. As ligji dhe as Rregullorja nuk e përcakton këtë mundësi. Në këto raste vepron parimi i autodichia-s, pra që janë organet e vetë parlamentit që gjykojnë veten dhe askush tjetër. Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm. Ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit.”, u shpreh Balla.

Duke marrë si shembull edhe praktikën e parlamenteve europiane, Balla ironizon me heshtjen e KLGJ dhe ILD.

“Gjykatat, qoftë në Francë dhe në Itali (gjykatat e larta administrative në këto vende) kanë përcaktuar se gjykatat nuk mundet të shqyrtojnë këto lloj çështjesh, sepse janë kompetencë ekskluzive e asamblesë apo parlamentit. Tani kush do reagojë, KLGJ, ILD apo shoqatat?!”, tha ai.

Ky vendim, është rasti i dytë pas atij të nëntorit të vitit të kaluar, kur Gjykata Administrative në të njëjtën rrugë, pranoi padinë e grupit parlamentar të PD dhe rrëzoi asokohe 23 masa përjashtimi për deputetë të PD. Në të dyja rastet, vendimi është marrë pasi dënimet janë kryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë