Politike

Salianji: Berisha e Xhafaj bashkë në një rrjet interesash

Nga Gazeta ‘Si’- Ish deputeti i PD Ervin Salianji i është përgjigjur ashpër sot kreut të opozitës Sali Berisha pas deklaratave të këtij të fundit mbi ish ministrin Fatmir Xhafaj.

Në një status të gjatë në rrjete sociale, Salianji akuzon për lidhje të forta politike mes kryedemokratit Berisha dhe ish ministrit Fatmir Xhafaj.

Duke iu referuar zjarrit që përfshiu pallatin 12 katësh te farmacia 10, Berisha tha se lejen e ndërtimit se dha Xhafaj, por Rama dhe Veliaj, deklaratë për të cilën në reagimin e tij Salianji thotë se mbrojtja që Berisha i bëri Xhafajt tregon se mes tyre ekziston një bashkëpunim i hershëm dhe i qëndrueshëm.

Ndër të tjera i vetëpërjashtuari nga PD, siç e konsideron kryedemokrati Ervin Salianjin, ngre shqetësime edhe për mungesën e hetimeve pasurore dhe për heshtjen politike që, sipas tij, shoqëron këto raste.

Ai përmend gjithashtu përfitime nga licenca dhe projekte të ndryshme, duke i cilësuar si pjesë e një rrjeti më të gjerë interesash.

Salianji e cilëson situatën si një përballje të dyfishtë politike, ku sipas tij duhet ndryshim si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Ai shton se pa ndryshime të brendshme në opozitë, nuk mund të ketë ndryshim real në vend.

“Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët: – Ramën në qeveri – Berishën në opozitë. Prandaj nuk kërkohet hetim pasuror për Xhafajn sipas ligjit antimafia. Prandaj heshtet për licencat me panele diellore dhe përfitimet direkte.

Prandaj sulmohet kushdo që prek këtë rrjet e mesa duket prandaj Berisha shpif sikur une kam dashur te vras Xhafaj!” shkruan Salianji ndërsa shton se Berisha sipas tij nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë